Tre policë bashkiakë të Tiranës, mes të cilëve edhe një 25-vjeçare, janë arrestuar në kuadër të një operacioni të koduar “Rrjeta”.

Shtetasit  Erjon Beca, 37 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë përgjegjës grupi pranë Policisë Bashkiake Tiranë për kontrollin e territorit.

– B. M, 25 vjeçe, banuese në Tiranë me detyrë punonjëse e patrullës së policisë Bashkiake Tiranë.

– Astrit Breshani, 47 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë patrullë shërbimi në patrullën e Policisë Bashkiake Tiranë, akuzohen se kanë marrë ryshfet për lejimin e një tende dielli në një pikë lavazhi në qytetin e Tiranës.

Sipas policisë, arrestimi i tyre u bë dje rreth orës 16:00, në rrugën “Panorama” pranë ZVRPP.

“Punonjësit e policisë bashkiake me automjetin e punës dyshohet t’i kanë marrë shtetasit J.M. një shumë prej 200 mijë lekësh të vjetër, për lejimin e një tende (rrjetë mbrojtëse dielli) në një pikë lavazhi në qytetin e Tiranës”, informon policia.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua:

-4 kartmonedha, konkretisht 4 kartëmonedha me prerje 5.000 lekë të rinj

 -5 telefona celularë të markave të ndryshme.

Materialet i’u kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprën penale “Korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike i kryer në bashkëpunim”.