Ish-kryeministri Sali Berisha inkurajoi mbështetësit e opozitës të vijojnë qëndresën për votën e lirë.

Duke folur nga çadra e protestës, ai shrehu bindjen se kryeministri Edi Rama më parë vetëvritet sesa lë karrigen e pushtetit. Por Berisha e këshilloi Ramën të reflektojë në kohë.

“Beteja është e ashpër. Edi Rama më parë vret veten sesa ikën. Tentativa ai ka patur jo njëherë gjatë jetës. Për të ikur nuk ikën, për të dëgjuar zërin tonë nuk e dëgjon. Por unë e garantoj se do ta bëjmë të dëgjojë zërin tonë. E garantoj se do ta dëgjojë, por më mirë ta dëgjojë me kohë sesa atëherë kur t’ia presë vetes tëmthat. Uroj t’i vijë mendja dhe të pranojë zgjidhjen e ofruar, asgjë tjetër vetëm votën e lirë. Vota e lirë është kushti i të gjitha kushteve për Shqipërinë europiane, Shqipërinë e stabilitetit, për zhvillimin, të ardhmen e Shqipërisë.

Iu bëj thirrje shqiptarëve të vazhdojmë këtë rrugë. Askush më shumë se ne nuk do stabilitetin. Shqiptarët shëtisin sot si hebrenjtë në shkretëtirë. Ky mision është për të gjithë Shqipërinë. E kuptoj mirë se ia njoh psikologjinë, e gënjen mendja se do mund të na e rrëmbejë votën, lirinë. Të gjitha këto do t’i paguash aq shtrenjtë por do jetë vonë se do t’i kesh rënë vetes në dy tëmthat, e vret veten ai. Pyesni në spitale dhe dihet ajo punë. Ju ftoj të vazhdojmë këtë betejë, beteja është e shenjtë. Edi Rama shporru, qërohu, largohu!”, tha Berisha.