Komisioni i Sigurisë Kombëtare e mbylli punën e tij për këtë legjislaturë me shtyrjen e ligjit për dorëzimin e armëve pa leje deri më 31 dhjetor të vitit 2017.
Përveç shtyrjes, deputetët socialistët propozuan që ligji të parashikojë dhe stimuj materialë.
“Unë do të kisha propozuar një armë, një vit internet pa pagesë, një armë – një lap top, një armë – një kompjuter”, tha Sterkaj.
Deputeti i LSI-së, Flamur Çela, iu bëri thirrje qytetarëve që disponojnë armë pa leje, të përfitojnë nga amnistia.
“Janë armë potenciale për krime të cilat ndodhin edhe në momente gjaknxehtësie dhe janë një derë burgu për secilin që e ka në shtëpi në mënyrë të pavullnetshme. Ju lutem dorëzojeni”, u shpreh ai.
Deri në fund të këtij viti, çdo qytetar që disponon armë pa leje mund ta dorëzojë pa iu nënshtruar asnjë penaliteti ligjor.





