Deklaratat e forta të Ministrit të Jashtëm Gjerman Gabriel për opozitën mesa duket nuk kanë bërë që lideri i saj Lulzim Basha të lëvizë nga qëndrimi për një qeveri teknike.
Pavarësisht se mesazhet e kryediplomatit gjerman qenë të qarta, mbyllja e bojkotit dhe votimi i vettingut, për Lulzim Bashën, kauza për një qeveri teknike dhe largimi i Kryeministrit Rama, mbetet prioriteti dhe qëllimi kryesor i opozitës.
Pas takimit që Basha pati me Ministrin gjerman, ai është shprehur para gazetarëve se ka informuar diplomatin për situatën e kriminalitetit në vend, duke nxjerrë zbuluar sipas tij “rrenën” e Edi Ramës. I pyetur nga gazetarët për kritikat e hapura që Ministri Gabriel bëri ndaj opozitës, Basha është shprehur se nuk do të komentojë mbi to.
"Ora është 16 e 27 që do të thotë se takimi im me ministrin ka zgjatur goxha. Sepse i paraqita faktet dhe argumentet e pakundërshtueshme që çmontojnë gënjeshtrat e Ramës dhe rrenën për reformën në drejtësi. E kam bërë këtë në mënyrën më evropiane të mundshme. Nuk komentoj deklaratën e tij, siç nuk kam ndërmend të pararend qëndrimin e tij pas takimit.
Realiteti nuk mund të injorohet dhe as fshihet pas propagandës së Edi Ramës që i shërben falangave të krimit, mbushjes së Shqipërisë me drogë, kapjes së zgjedhjeve që të ruajnë pushtetin që kanë.
Vendet që kanë ndihmuar Shqipërinë në këto 27 vite përfitojnë nga njohja totale e problemeve siç janë tonelatat e drogës. Nuk mund të ketë injorim. Në të njëjtën kohë për të shkatërruar opozitën është përpjekje për të shkatërruar demokracinë. Ndaj e vetmja rrugë mbetet një qeveri teknike me mandat politik për të luftuar drogën.”– tha Basha.
Në lidhje me reformën në drejtësi dhe vettingun në veçanti, Basha tha se opozita nuk mund të lejojë një reformë në duart e Kryeministrit Rama dhe maxhorancës. Basha shtoi se do të votojë vettingun kur të arrihet një marrëveshje për të dhe jo një zgjidhje fasadë që pushtetin gjyqësor ja lë në dorë kryeministrit
“I kam shpjeguar për rrenat e Edi Ramës në raport me vettingun. Rama shkeli marrëveshjen. 6 ligjet janë pa miratimin e opozitës, sepse opozita është përjashtuar nga Edi Rama për të kapur drejtësinë. Sot pata rastin që gënjeshtrat e Ramës t’i çmontoj me fakte”, tha Basha.





