Ministri i Jashtëm i Holandës ka qenë sot në Tiranë për të diskutuar nga afër me palët politike veçanërisht për zgjidhjen e ngërçit politik. Bert Koenders ka dhënë një mesazh të qartë për të gjithë ata shqiptarë që shkojnë në vendin e tij si azilkërkues, duke ua prerë shpresat shqiptarëve që kërkojnë azil në Holandë.
“Janë të mirëpritur për turizmin, për të punuar, por vendi juaj nuk është në pozitë të tillë që të kërkojë azil, prandaj nuk ju mirëpresim. Nuk keni shanse për të përfituar azil! Jeni të mirëpritur si turistë”- tha ai.
E për ta sqaruar situatën ndërhyri edhe ministri ynë i Jashtëm Ditmir Bushati, i cili foli për një keqkuptim të shqiptarëve në këtë drejtim.
“Shqipëria ka një qëndrim të qartë në lidhje me këtë fenomen, i cili nuk është shqiptar pasi ka edhe vende të tjera me ketë problematikë. Ne po bashkëpunojmë me partnerët tanë për t’i dhënë fund këtij fenomeni. Fillimisht kishte një keqkuptim në lidhje me lirinë e ofruar ndaj shqiptarëve, por me pas qytetarët janë qartësuar”,- tha ai.





