Skuadra e Kukësit ka triumfuar në duelin shumë të vështirë të zhvilluar në Durrës përballë Teutës, me rezultatin 0-2, falë golave të realizuar nga bomberi Pero Pejic. Pas një pjese të parë shumë të kujdesshme dhe racionale nga të dy ekipet, ka qenë fraksioni i dytë ai që ka vendosur fatin e takimit.
Ishte Dvornekovic që në të 54’ rrëzohet në zonën e Teutës pas një kontakti me Kotobellin dhe arbitri nuk vonon të akordojë 11-metërsh. Nga pika e bardhë e penalltisë është Pejic ai që ekzekuton dhe dërgon topin në rrjetë duke kaluar Kukësin në avantazh në minutën e 55’, 0-1.
Në të 65’ Artur Magani ka shansin më të mirë për të barazuar shifrat, teksa pasi i shpëton markimit të mbrojtjes së Kukësit në zonën verilidnore, gjuan fuqishëm, por topi përfundon jashtë, ngjitur me shtyllën. Kundërpërgjigja e verilindorëve nuk vonon dhe në të 67’ është Pejic ai që pasi merr një top në hyrje të zonës gjuan fluturimthi, por pa saktësi në finalizim.
Sfida mbyllet në të 79’, kur Kukësi dyfishon epërsinë, sërish me anë të Pejic, i cili nuk e ka të vështirë të dërgojë topin në rrjetë, me portën e boshatisur pas atij asisti të Lenës nga e majta. Të kota kanë rezultuar të gjitha përpjekjet e durrsakëve për t’u kundërpërgjigjur, përtej edhe pretendimeve për penallti.