U pajtua me priftin grek, të cilin e përgojoi në një video skandaloze, që e bëri gjatë grumbullimit me kombëtaren, para kualifikueses me Italinë, por nuk e “ka kaluar klasën” plotësisht. Andi Lila nuk do të vijojë bashkëpunimin me PAS Janina, në kampionatin helen të futbollit, ku luan prej 6 sezonesh, pasi do të largohet që andej.
Destinacioni i ardhshëm do të jetë Azerbajxhani, ku “shkes” duket se ka kapitenin kuqezi, Ansi Agolli. Emri i klubit të ri pritet të mësohet shumë shpejt. Ky lajm është konfirmuar nga media greke.Bisedimet mes palëve kanë avancuar dhe tashmë pritet vetëm nënshkrimi i kontratës.
Andi Lila do të transferohet në Azerbajxhan me parametra zero, si lojtar i lirë, pasi e mbyll kontratën me klubin aktual grek në fund të sezonit. Gjatë eksperiencës prej 5 vitesh e gjysmë te PAS Janina, Lila ka shënuar 8 gola dhe ka luajtur 136 ndeshje. Ai u shkëput në këtë periudhë për gjysmë sezoni (2014-2015) për ta provuar veten në Seria A, te Parma, në formë huazimi.