Vijon “tërhiq e liro” në Lega Calcio, me asamblenë që ditën e enjte do të mbërrijë në Milano për të kërkuar një marrëveshje. Por, këtë mëngjes, “La Repubblica” ka evidentuar një tjetër hetim të Prokurorisë së Republikës në Milano, në lidhje me të drejtat e Seria A. Në fakt, në objektiv janë vendosur disa drejtues të “Infront” dhe të “Mediaset”.
Mes tyre edhe administratori i deleguar i Milan Adriano Galliani. Galliani, për momentin nuk rezulton të jetë konkretisht në listën e të hetuarve. Ekziston mundësia që të enjten, disa klube të mund të votojnë Gallianin si presidentin e ri.
Por, pas ngjarjeve të fundit, disa klube tashmë duken më skeptike në lidhje me kandidaturën e Galliani, që do të përfaqësonte për më tepër një problem për faktin që është i lidhur me një kontratë me “Fininvest”, çka do të rrezikonte një konflikt interesi për të drejtat televizive.