Dy medalistët e Europës në peshëngritje, Daniel Godelli (medalist i artë në shkëputje) dhe Erkand Qerimaj (medalist i argjendtë në shtytje dhe i bronztë në dygarësh), janë përballur dje në studio pas garës së fortë në pedanën e Splitit të Kroacisë. Të ftuar në “Fair Play” në “News 24” të gazetares Enkeleida Zeko, medalistët kanë “thumbuar” njëri-tjetrin për duelin e tyre në të njëjtën peshë (77 kg).Në prononcimin e tij, Godelli u shpreh se Qerimajn nuk e cilëson si kundërshtar. “Unë kam 15 vite që merrem me sport dhe në pedanë nuk kam asnjë kundërshtar. Asnjë. Unë mendoj si e si të çoj kilogramët. Ndaj quhet edhe sport individual dhe nuk ke të bësh me kundërshtarin. Nëse do të ndiqni garën nga fillim deri në fund, nuk shikoja njeri tjetër.
Në këtë garë unë kisha si kundërshtar rumunin në stilin e shkëputjes dhe atë e mposhta me 161 kg, ndërsa ai ngriti 160 kg. Doja të mposhtja edhe në stilin e shtytjes, nuk e arrita dot. Por ky është sporti. Ndonjëherë është edhe me fat. Kështu që nuk mund të them se cilin kam kundërshtar”.Në përgjigje të tij, Qerimaj u shpreh se për të rëndësi ka që i pret rivalët t’i bashkohen peshës së tij. “Për mua e rëndësishme është që kam qenë stabël. Në të gjitha garat që kam bërë nuk kam luhatje nga 20-30 kg. Dhe nga Izraeli ku unë u shpalla kampion Europe me 194 kg, këtu kam ngritur 193 kg. Ta marrin vesh të gjithë shqiptarët që dygarëshi është më i rëndësishëm në peshëngritje.E rëndësishme për mua është që nga Europiani kam sjellë dy medalje, në dygarësh dhe nënkampion europe në shtytje. Rivalitetin me Danielin e shoh në mënyrë pozitive. E di pse? Kur shoh një sportist që U afrohet rezultateve të mia, më shtyn të jap më tepër. E përsëris, e shoh pozitivisht dhe jo negativisht.Edhe ndonjë debat që mund të kemi pasur në përgjithësi, kanë qenë në mënyrë konstruktive. Rivaliteti në çdo sport është pjesë e garës. Jam i kënaqur që është në këtë peshë, veçse unë jam këtu gjithë këto vite dhe pres cilindo që do vijë. Për mua nuk ka asnjë problem”.