Është mbyllur me fitoren e Skënderbeut ndeshja e parë gjysëmfinale mes bardhekuqve dhe Teutës. Sfida e luajtur mbrëmjen e sotme në Korçë ka përfunduar me rezultatin e ngushtë 1-0, duke lënë gjithçka të hapur për në ndeshjen e kthimit më 19 prill në Durrës, ku padyshim ekipi korçar është më favorit.
Përballja mes dy skuadrave ka qenë mjaft e luftuar, ku ekipi i Skënderbeut ka qenë disi më superior se ai durrsak duke parë edhe diferencat që kanë në fushën e lojës, për më tepër që luanin në shtëpi. Edhe pse dominoi për pjesën më të madhe të ndeshjes, skuadra e drejtuar nga Ilir Daja arriti të shënojë vetëm një gol që të merrte një fitore për të shkuar më disi i qetë në ndeshjen e kthimit më pas.
Rastet e krijuara nuk u shfrytëzuan siç duhet nga sulmi bardhekuq, që vijon të ketë probleme, teksa goli i vetëm i sfidës u shënua nga një mbrojtës. Ishte pikërisht Kristi Vangjeli i cili në minutën e 83’ të ndeshjes do të shpëtonte nderin e Skënderbeut duke shënuar golin e vetëm të ndeshjes.
Goli i mbrojtësit korçar do të ishte edhe vendimtari teksa deri në fund rezultati nuk do të ndryshonte dhe bardhekuqtë marrin një fitore që i dërgon me një këmbë në finalen e Kupës. Ndërkohë, Teuta nuk ia arriti qëllimit për të dalë e pamposhtur nga ndeshja e parë gjysëmfinale, për ta patur më të lehtë më pas në ndeshjen e kthimit në “Niko Dovana”, por qe gjithçka nuk është mbyllur ende.