Botërori i Formulës 1 rikthehet këtë fundjavë me Çmimin e Madh të Kinës. Ashtu si në garën e Australisë, në Melbourne, pritet që dueli për fituesin të jetë mes Lewis Hamilton dhe Sebastian Vettel.Piloti britanik, 3 herë kampion bote, tashmë ka mbërritur në vendin aziatik, ku mori pjesë në një takim me tifozët e Formulës 1 në Pekin.Hamilton u rendit i dyti në garën e 26 marsit, pas pilotit të Ferrarit, e padyshim synimi i tij është që në Shanghai ai të ngjitet në shkallën më të lartë të podiumit, gjë që e pohoi ai vet për “Reuters” duke deklaruar se është plotësisht gati për sfidën e radhës.
Për Lewis Hamilton, pista e Shanghait ka kujtime të këndshme, duke qenë se britaniku ka fituar atje plot 4 herë dhe këtë vit do të kërkojë suksesin e tij të pestë.Ashtu si Hamilton, edhe Vettel duket se është gati për garën e dytë të vitit në Formula 1. Në Kinë, piloti gjerman i Ferrarit do të kërkojë të konfirmojë suksesin e arritur në Melbourne, që sipas tij nuk ishte aspak i rastësishëm.“Fitorja në Australi ishte një arritje madhështore, nuk ishte aspak një mrekulli. Suksesi në atë garë është vetëm maja e ajsbergut. Nuk do të ndalemi me kaq, pasi është vetëm fillimi. Detyra jonë është që të vazhdojmë punën në këtë drejtim”, tha Vettel.