Katër orë ka zgjatur darka mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Kuvendit Ilir Meta, që nisi në orën 20:45 të mbrëmjes së djeshme në një restorant me prodhime deti te “Pazari i Ri” në Tiranë. Me ta në takim ishte edhe ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili, si edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

I pari që ka dalë nga restoranti në orën 00:47 pas mesnate ka qenë Rama, i shoqëruar nga kryebashkiaku Veliaj. Pasi i dha dorën Erjon Veliajt, Rama u largua me makinën zyrtare. Pak minuta më vonë nga restoranti dolën Ilir Meta dhe Petrit Vasili.

Kjo darkë vjen 4 vjet pas marrëveshjes së 1 prillit dhe mendohet që koalicioni ka qenë tema kryesore e takimit kokë më kokë të dy aleatëve dhe dy prej njerëzve të tyre më të afërt në partitë që ata drejtojnë.

Katër vjet më parë, Rama dhe Meta darkuan në Gjirin e Lalzit në darkën e shumëpërfolur si “darka e ngjalave”, e cila kishte kumbar Nar Kokën, vëllanë e ministrit aktual të Mjedisit, Lefter Koka, i pagëzuar edhe si ‘kumbar’ i marrëveshjes Rama-Meta.