Detaje të reja zbardhen mbi vrasjen e 35-vjeçarit shqiptar në një lagje të Athinës gjatë mbrëmjes së kaluar. Shqiptari u qëllua me 2 plumba, ndërsa sipas mediave greke, ai merrej me tregti dhe ishte baba i dy fëmijëve.
Sipas dëshmitarëve okularë, ai ndodhej në makinën e tij kur u qëllua dhe u dërgua menjëherë në spital, ku u konstatua se kishte vdekur.
“Isha te dyqani im në rrugën ‘Papaflessa’, kur dëgjova disa krisma. Menjëherë dola jashtë për të parë se çfarë kishte ndodhur dhe pashë se plumbat kishin qëlluar një makinë të tipit ‘Lancia’ ku gjendej shqiptari”, tregon një dëshmitar okular për “Protothema.gr”, ndërsa një tjetër dëshmitar ka thënë se i dha ndihmën e parë shqiptarit dhe e dërgoi në spital.
“Sapo e pashë që ai ishte i plagosur, u futa në makinën e tij dhe i kontrollova pulsin për ta parë nëse ishte gjallë, dhe pashë që ai merrte frymë. Më pas e vendosa në makinën time së bashku me djalin tim dhe dy shokë dhe e dërguam në spital”, ka thënë dëshmitari, ndërsa shton se ai njihej si njeri i qetë dhe jo problemtiak.
Shqiptari u qëllua me dy plumba nga dy persona që lëviznin me motor, ndërsa paraprakisht dyshohet se ngjarja ka ndodhur për larje hesapesh, pasi 35-vjeçari ishte i skeduar për trafik droge.





