Një person është plagosur pas një konflikti në Shkodër. Policia sqaron se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku tre shtetas ende të paidentifikuar, kanë plagosur me armë 21-vjeçarin me iniciale S.Sh.

“Më datë 01.04.2017 në ora 19:30 njoftohemi se në Spitalin Rajonal Shkodër është dërguar një person i plagosur me armë zjarri. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë të cilat kanë konstatuar se pas një konflikti për motive të dobëta, tre shtetas të panjohur, ku njëri nga këto shtetas ka qëlluar me armë zjarri pistoletë duke e plagosur në pjesën e legenit shtetasin S.Sh. 21 vjeç, banues në lagjen “10 Korriku” Shkodër”, informojnë burime zyrtare nga policia.

I dëmtuari ndodhet në Spitalin Rajonal Shkodër për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë janë ngritur pika kontrolli dhe po bëhet krehja e zonës me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve dhe vënien para përgjegjësisë penale.