FIFA njoftoi se ka përfunduar hetimin e brendshëm që filloi në qershor të vitit 2015, nga Prokuroria e Përgjithshme e Zvicrës dhe Departamenti Amerikan i Drejtësisë, mbi dyshimet për korrupsion ryshfet dhe vepra kriminale.

Në 22 muaj janë shqyrtuar më shumë se 2.5 milion dokumente dhe janë intervistuar dëshmitarë të shumtë. Më shumë se 20.000 faqe raporte me prova do t’i vihen në dispozicion autoriteteve zvicerane dhe amerikane.

Presidenti i FIFA-s Gianni Infantino tha se organizmi që ai drejton është i angazhuar për të kryer hetim të plotë të fakteve dhe bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë, në mënyrë që të rikthehet besimi tek futbolli.

Provat e gjetura nuk mund të bëhen ende publike për shkak të hetimit të Prokurorisë së Përgjithshme të Zvicrës dhe Departamentit Amerikan të Drejtësisë.

Me gjetjet e bëra do të bëhen edhe ndryshimet në qeverisjen e futbollit botëror sa i përket financave dhe funksioneve në këtë organizëm. Në fund të muajit prill FIFA do të njoftojë ndryshimet e bëra.