Lëvizja Socialiste për Integrim ka bërë gati programin për arsimin dhe sot pasdite e prezanton atë publikisht, duke thelluar ndarjen me Partinë Socialiste. Sulmet e Monika Kryemadhit kundër Lindita Nikollës nuk ishin rastësi.

Megjithëse LSI e votoi në parlament ligjin e Arsimit të Lartë, Monika Kryemadhi rinisi një fushatë akuzash ditët e fundit direkt ndaj Lindita Nikollës, si përgjegjësen kryesore të kaosit me maturantët.

Madje në një intervistë pak ditë më parë, Kryemadhi u shpreh se “kur u bë reforma në arsim në Paris, studentët u çuan dhe e dogjën Parisin”.

Deputetja tha se edhe më herët kishte folur me Ilir Metën për problemet e reformës në arsim, por ai nuk e kishte dëgjuar.

Momenti që ka zgjedhur Ilir Meta për të dëgjuar bashkëshorten e tij dhe përgatitja e një platformë paralele për arsimin, forcon hipotezën se LSI nuk do të jetë në koalicion me PS-në për zgjedhjet e 18 Qershorit.

Tashmë Meta ka braktisur Partinë Socialiste në Kavajë dhe mes dy aleatëve nuk ka mbetur asnjë qëndrim publik që t’i bashkojë. /Lapsi.al