Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha takoi sot drejtorin e Europol Rob Wainright, të cilin e falenderoi për bashkëpunimin e shkëlqyer që çoi në liberalizimin e vizave me Europën në fund të vitit 2010, ç’ka mundësoi lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen.
Në një njoftim për mediat thuhet se Basha dhe Wainright ndanë shqetësimin e thellë për prodhimin dhe trafikimin tronditës të marijuanës në Shqipëri, kthimin e vendit në portë për tranzitimin e heroinës si dhe një vend kryesor për pastrimin e parave. Fenomene që, siç thuhet në njoftim, janë theksuar në raportin e fundit të Europol.
Basha mësohet se e njohu drejtuesin e lartë të Europol me planin e PD për të luftuar krimin e organizuar dhe trafiqet e paligjshme për të ndaluar prodhimin e trafikimin e drogës. Kreu i opozitës diskutoi me shefin e Europol mundësinë e vendosjes së protokollit për bashkëpunim të shpejtë në lidhje me verifikimin e shenjave të gishtërinjve me qëllim zbatimin efikas të ligjit të dekriminalizimit, si dhe në luftën ndaj krimit të organizuar e trafikantëve të drogës.
Nga ana e tij, thuhet më tej në njoftimin e zyrës për shtyp të PD, Wainright ofroi mbështetjen për këtë projekt si dhe për hetimin dhe gjurmimin e aseteve të krimit të organizuar dhe pasurive të fshehura të zyrtarëve të lartë, të përfituara nga trafiqet dhe korrupsioni. Wainright ishte i pranishëm në punimet e samitit të PPE sot, ku Europol mori çmim për merita në luftën ndaj krimit.
***
Pjesëmarrja në Kongresin e Partive Popullore Europiane i ka shërbyer Lulzim Bashës që shqetësimin e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme ta ndajë edhe në takimet kokë më kokë që ka zhvilluar me udhëheqës të lartë europianë.
Në takimin e zhvilluar me Presidentin e PPE, Josef Daul dhe me Sekretarin e Pergjithshëm Antonio Lopez Isturiz, kreu i opozitës ka parashtruar kërcënimin real të zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqiperi prej krimit, drogës dhe parave të pista, si dhe ka kërkuar mbështetjen europiane për këtë betejë që po zhvillon opozita.
Të njëjtin shqetësim zyra e shtypit pranë Partisë Demokratike thotë se Basha e ka ndarë edhe me Ministrin e Jashtëm austriak, Sebastian Kurz, Komisionerin Europian për Sigurinë, Dimitri Avramopulos, si dhe me kreun e Senatit Italian Pier-Ferdinando Cazini. Ky i fundit e ka siguruar Bashën se do të ketë përkrahjen e tij për kauzën e votës së lirë. Sipas njoftimit për shtyp, thuhet se Kazini ka vlerësuar të drejtë propozimin e opozitës se për daljen nga kriza, duhet një qeveri teknike.
Ndërsa në takimin e zhvilluar me Presidentin e Këshillit të Europës, Basha mori garancinë e Pedro Agramunt, për mbështetje që Shqipëria të mos bëjë kthim pas në standardet e demokracisë e votës së lirë.
Këto takime vijnë një pas miratimit të rezolutës së Partisë Popullore Europiane, grupimit politik më të madh të partive të djathta dhe të qendrës në Parlamentin Europian, të cilat i bënë thirrje të gjitha forcave politike në rajonin e Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë, të marrin pjesë plotësisht në proceset demokratike dhe në institucionet e vendit, të zbatojnë Reformën në Drejtësi dhe të luftojnë korrupsionin.





