Policia e Tiranës ka nisur procedimin penal nga ish-deputetit të PD-së, aktualisht kreu i PD-së në Lushnjë, Myslim Murrizi pas përplasjes së tij sot me policinë.
Ishte vetë deputeti që publikoi videon ku një polic rrugor e ndaloi pranë rrugës së Elbasanit dhe i kërkoi dokumentet pasi nga komandanti i trafikut i ishte thënë se kishte lëvizur pa rrip sigurimi, raporton Balkanweb.
Murrizi ka shpërthyer në fyerje dhe të shara ndaj policit dhe urdhëruesit të tij, duke i quajtur disa herë madje dhe trafikantë, pasi sipas tij, ndalimi ishte me urdhër politik
Por menjëherë pas këtij incidenti, policia ka nisur procedimin penal në ngarkim të Murrizit me akuzën për veprën penale “Kundërshtim dhe fyerje ndaj punonjësit të policisë”. Burime nga policia thanë gjithashtu se në shtëpinë e ish-deputetit ka shkuar një efektiv për t’i komunikuar procedimin por nuk është gjetur në shtëpi
Videoja e filmuar nga vetë Murrizi bëri xhiron në rrjet brenda pak orësh duke ngjallur shumë reagime.
Pas kësaj vetë ish-deputeti fshiu videon nga “Facebook” si dhe deklaratat e bëra.





