Të tjera kritika në punën e qeverisë, konkretisht në atë të ish ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri kanë ardhur sot nga foltorja e kuvendit nga partia aleate në bashkëqeverisje.

 

Bëhet fjalë për LSI-së, ju sot nëpërmjet deputetes Kejdi Mehmetaj, e cila ndër të tjera ka përgëzuar edhe aprovimin e një propozimi të LSI-së për përfshirje e ushtrisë në luftën kundër cannabisit.

“Po dëgjoja sot njerëz që sajojnë foltore rrugëve të Tiranës e Paskuqanit, se e vuajnë shumë mungesën e foltores në parlament, të thoshin se do të respektonin të drejtën sovrane të popullit për të zgjedhur, habitem si nuk ndjejnë ndopak pendesë që sovrani po bën zgjedhje të parakohshme pikërisht se oferta e mëparshme kishte qenë krimi dhe dhuna. Sot pra të mos bëhemi arrogantë, e as hipokritë, të ulemi me këmbë në tokë e të mendojmë ç’po bëjmë e ç’do bëjmë për shqiptarët e mbi të gjitha për fëmijët tanë”, tha Mehmetaj. 

Ajo u shpreh nga foltorja e parlamentit se “ndërkohë që u themi fëmijëve se nuk duhet të kryejnë krime, u servirim atyre modelet se si të inkriminuar janë pjesë e qeverisjes qendrore dhe lokale”, duke iu referuar pikërisht ish-kreut të Bashkisë Kavajë Elvis Rroshi. 

Lidhur me kanabisin, Mehmetaj përgëzoi qeverinë për projektin më të fundit për ta luftuar, duke përfshirë edhe ushtrinë, një propozim ky i ardhur nga LSI-ja. “Ndërkohë që sipas të gjitha të dhënave zyrtare dhe jo zyrtare, mbjellja e kanabisit në Shqipëri është rritur në mënyrë eksponenciale, qeveria më në fund reflektoi dhe e përgëzoj për marrjen e masave kundër mbjelljes së kanabisit në vend. Më vjen mirë që iu larguam justifikimit se shqetësimet e ngritura janë për arsye elektorale, sepse si rrjedhojë e mungesës së luftës kundër kanabisit sot fëmijët e të rinjtë shqiptarë janë drejtpërsëdrejti të ekspozuar ndaj konsumit të hashashit dhe kultivimit të tij”, deklaroi Mehmetaj. 

Dje nga Paskuqani, Tahiri sulmoi ashpër LSI-në duke thënë se për ca vota më shumë dalin në lajme dhe shajnë. 

“Duhet të shash qeverinë që të dalësh në lajme, që të bësh lajm, që të mbledhësh ca vota më shumë. Sa më shumë sulmojnë aq më shumë duan të na tërheqin në vorbullën e sherrit, t’i thonë se ‘ja ku jemi të gjithë njësojë, dhe ndaj s’ka rëndësi se ku e çojmë votën’. Sa më shumë sulmojmë ata, aq më shumë me qytetarët duhet të flasim, aq më shumë duhet të bëjmë, aq më fortë duhet të luftojmë të gjithë bashkë. Përgjigja jonë është puna, për çdo sulm, për çdo akuzë, për çdo baltë që hedhin ndaj nesh. Ne jemi të vetëdijshëm që do na gjykojnë për punën, jo për llafet.”, tha Tahiri dje por edhe sot vijoi akuzat ndaj LSI-së. 

Ai i cilësoi goditje tendencioze sulmet e LSI ndaj qeverisë, pavarësisht se është pjesë e koalicionit qeverisës. Me anë të një reagimi në profilin e tij zyrtar në ‘Facebook’ Tahiri iu kundërvu LSI-së sa i takon lajmit të publikuar dje se kjo e fundit nuk merr pjesë në zgjedhjet për kryetar bashkie në Kavajë, me pretendimin e ‘është farsë pa opozitën’.