Ajo është një personazh shumë i njohur i politikës. E angazhuar shumë e re në FRESH dikur dhe sot bashkëshortja e një prej liderëve politikë më të fuqishëm, por me fuqinë e një deputeteje. Bëhet fjalë për Monika Kryemadhin, deputeten e LSI-së dhe bashkëshorten e kreut të Kuvendit, Ilir Meta.
Ata janë martuar 22 vite më parë dhe kanë dy vajza dhe një djalë. Monika është shumë aktive në jetën politike dhe shpeshherë edhe kritike por sot në rubrikën “Këndi i ekselencës” në emisionin e mëngjesit në News24, Vila 24 ajo zbulon gjithçka të pathënë më parë për jetën e saj, familjen, politikën dhe marrëdhënien me bashkëshortin e saj.
Si ka qenë Monika fëmijë?
Unë kam qenë fëmijë i shtresës së mesme. Gjithë jetën jam parë si një njeri normal, i padukshëm. Fëmijët e mi nuk janë të padukshëm.
Çfarë studimesh ndjekin fëmijët?
Goca ka zgjedhur financë-bankë, ka fituar të drejtën e studimit. Çuni është në mes të juridikut dhe ëndrrës së madhe për t’u bërë aktor Hollivudi. Unë shpresoj t’i realizohet por duhet të bëjë kompromise dhe goca e vogël i thotë madje po kur të martohesh ti e të bësh dashuri me femra të tjera në filma si do bësh?
Po ti vetë çfarë ke dashur të bëheshe?
Unë kam dashur të bëhesha balerinë ose astronaute.
Nuk do donit që djali të bëhej aktor?
Jam partizane sot që çdo njeri të ketë një zanat. Jeta është shumë e çuditshme dhe është si ashensor. Është mirë të kesh një zanat.
Do doja që një nga fëmijët e mi të bëhej mjek që kur të plakesha të më shërbenin.
Babai im ka jetuar 7 vjet me ishemi se i shërbente mamaja ime.
Po nëse dështon djali për t’u bërë aktor, çfarë do bëjë. E di si është profesioni i aktorit në Shqipëri.
Ju besoni se ai do kthehet në Shqipëri?
Unë shpresoj që ai të kthehet këtu. Megjithëse vajza e madhe më tha njëherë se më mirë një emigrante se të kthehem dhe të bëhem pjesë e luftrave tuaja. Më erdhi shumë keq. Morali politik këtu është aq i pamoralshëm… Këtu kanë vuajtur fëmijët e mi, jo ne. Janë të privuar nga shumë gjëra.
Sa lekë u ke dhënë kur ishin të vegjël në shkollë?
200 lekë se ishin në kolegj.
Po për veshjet?
Kam një fat të madh sepse vajzat e mia veshin rrobat e mia. Më gëzon kjo se do të thotë se kam guston e brezit të ri.
Kujt i ngjajnë fëmijët?
Bora i ngjan babait të saj. Është indiferente, e ftohtë. Unë them është Ilir Meta me flokë të gjata. Besari është emocional, ëndërron, është si unë.
Me kë jeni më shumë e lidhur, me djalin?
Unë me vajzat, me djalin jo. Djali im është shumë i lidhur me nënën time, sa një ditë më tha do bëj tatuazh foton e saj. I thashë ‘budalla je ti’, bëj fëmijët e tu.
Si jeni njohur me Ilirin?
Në Partinë Socialiste jemi njohur. Unë kam qenë pak e turpshme. Por pastaj pas fejese jo më. Mua nuk më ka pëlqyer Iliri në fillim, se ai është pak maskilist. Nuk është shumë xhentil, e them këtë në kontekstin e një vajze që ëndërron princin e kaltër. Ne jemi njohur në nëntor të vitit 1993, kam qenë 17 vjeç, e një vit më pas jemi lidhur.