Sherri mes dy fëmijëve të vegjël ka degjeneruar deri në rrahje mes prindërve të tyre.
Ngjarja e rëndë është regjistruar ditën e shtunë, në qytetin e Shijakut, në lagjen "Popullore".
Sipas burimeve policore, mësohet se dy fëmijë të vegjël janë zënë njëri me tjetrin ditën e premte, por grindja nuk ka mbaruar aty, pasi nëna e njërit prej të vegjëlve është konfliktuar me babain e fëmijës tjetër, madje e ka goditur me shpullë këtë të fundit.
Sherri dukej sikur u mbyll aty, pasi prindërit, me fëmijët përdore, janë larguar drejt shtëpive respektive.
Por të nesërmen “gjakrat” janë ndezur sërish dhe sebepi duket se kanë qenë sërish fëmijët.
Këta të fundit kanë rinisur edhe njëherë zënkat e një ditë më parë, por këtë herë në konflikt kanë përfunduar nënat e tyre.
Kështu gruaja, të cilës një ditë më parë i ishte goditur burri me shuplakë, si për të marrë hak për “çnderimin” e bashkëshortit të saj, ka qëlluar me mjete të forta komshien.
Kjo e fundit, shtetasja M.M., 38 vjeçe, ka përfunduar në gjendje të fikti në spital, pasi rezultonte e goditur në kokë. Gjithsesi, sipas mjekëve, pas marrjes së ndihmës së parë, ajo është larguar në shtëpi.
Mësohet se policia ka marrë në pyetje të dyja gratë e përfshira në konflikt, dhe më pas ka nisur procedimin penal ndaj 28-vjeçares F.Z., që akuzohet për “Dëmtime të tjera me dashje”.
M.B.





