Policia Kufitare e Kakavijës ka sekuestruar 22 kg kanabis, pasi konstatoi me anë të kamerave termike se 3 persona të dyshimtë po lëviznin me çanta. Por 3 trafikantët kanë përfituar nga errësira dhe ia kanë mbathur.

“Më datë 26.03.2017, rreth orës 21.00, në vendin e quajtur Diga e Liqenit, në afërsi të fshatit Vrisera, nga punonjësit e policisë Kufitare Kakavijë u konstatuan me kamer termike 3 persona, të cilët po ecnin më këmbë nga fshati Vrisera për në drejtim të liqenit.

Menjëherë shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje të këtyre personave, të cilët kur iu ka bërë thirrje policia për të ndaluar, kanë braktisur çantat dhe duke përfituar nga errësira janë larguar në drejtim të pyllit.

Në ndjekje të tyre janë vënë shërbimet e Policisë Kufitare si dhe ato të Sektorit Kundër Narkotikëve.

Në çanta u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 22 kg lëndë e dyshuar narkotike si ajo e llojit Canabis Sattiva.

Nga ana e Policisë vijon puna për kapjen e këtyre personave”, njofton policia.