Erkand Qerimaj, kampion i Europës në Peshëngritje, në vitin 2014, i ka “thumbuar” rëndë kuqezinjtë mbas humbjes së tretë radhazi në fushatën kualifikuese të “Botërori 2018”, por sidomos mbas disfatës së mbrëmshme me Italinë.
Duke qenë i njohur me videon, që i parapriu kësaj sfide, ku protagonist ishte Andi Lila dhe një hoxhë nga kryeqyteti, teksa ky i fundit kishte arritur të depërtonte e të bënte video brenda në rezidencën kuqezi, Qerimaj godet fort, duke thënë përmes një statusi në Facebook: “Djema, ndeshjen tjetër mos u tallni me priftin, as me hoxhën! Kini kujdes portën nga golat! Ju uroj suksese në ndeshjet e ardhshme! Përfaqësoni një komb, duhet të jeni model për rininë…”
Të vetëdijshëm se kamera po i filmonte dhe se do të ishin “live” në Facebook, futbollistët e kombëtares, Armando Sadiku dhe Andi Lila, janë bërë pjesë e një skandali, ku tregojnë si tallen me priftërinjtë në skuadrat që luajnë. Videoja është bërë publike nga imami Ahmed Kalaja, i cili “stimulon” bisedën, ndërsa Lila tregon historitë që bëjnë të qeshin Sadikun dhe hoxhën.
Lila shprehet se priftërinjtë në Greqi vijnë t’i bekojnë para çdo ndeshjeje, veprim të cilin në një rast ai e ka injoruar:“Erdhi prifti, se vjen çdo muaj, erdhi në një dhome të vogël, bashkë me trajnerin. Ky është prift i madh fare, thanë ata, se të tjerët, që vinin zakonisht, ishin më të vegjël. Muaj për muaj, me datë 1, bëjnë bekimin. Hedhin ujë, unë ruhem që të mos më kapë ndonjë pikë. Ai u zgjaste dorën të gjithëve dhe i puthnin dorën. Doli me pa mua, i tha trajneri ky është shqiptar. Aaaa, tha, shqiptar, këta janë besimtarë të mirë, më zgjati dorën afër turinjve, ia kapa dorën dhe i thashë: si ke qenë, a je mire. Ata të tjerët vunë duart kokës, obobo na fëlliqe. Thanë është njeri i mirë, kur pas dy javësh e kishin kapur pa brekë”.
Videoja është xhiruar në hotelin, ku është grumbulluar kombëtarja para ndeshjes me Italinë, ndërsa gjatë gjithë kohës në dhomë me ta është edhe një fëmijë i vogël, i quajtur Muhamed. Videoja e plotë 17 minutëshe u postua nga imami Ahmed Kalaja.