Kombëtarja shqiptare U-21 ka barazuar me rezultatin 0-0 në “Elbasan Arena” në miqësoren e zhvilluar sot ndaj Moldavisë. Kjo ishte miqësorja e parë nga 2 të tilla që do të zhvillohen kundër moldavëve në kuadër të përgatitjeve për kualifikueset e Kampionatit Europian U-21 2019.Takimi i sotëm ishte njëkohësisht takimi i parë për trajnerin Alban Bushi në drejtimin e kombëtares U-21 në një miqësore zyrtare, teksa më parë e kishte drejtuar ekipin edhe në një miqësore ndaj Skënderbeut ku kishte grumbulluar lojtarë të rinj për t’i provuar.

Ndeshja e sotme nuk dhuroi shumë emocione, edhe pse në fushë për kuqezinjtë zbritën të gjithë lojtarët më të mirë. Momentet për t’u përmendur nga pjesa e parë ishin një goditje shtylle nga ana e Çekiçit dhe një gjuajtje e rrezikshme nga larg e Elvir Malokut, ndërkohë që në pjesën e dytë ishte radha e moldavëve të godisnin shtyllën.Kuqezinjtë e nisën ndeshjen me këtë formacion: Selmani, L. Maloku, Toli, Mihaj, Bytyqi, Bare, Ndoj, E. Maloku, Çekiçi, Abazaj, Seferi.Ndeshja tjetër miqësore mes Shqipërisë U-21 dhe Moldavisë U-21 do të luhet pas dy ditësh, më datë 27 mars.