Partia Socialiste pritet të kandidojë një grua për kryetare të bashkisë së Kavajës.
“Televizioni Klan” ka mësuar se këtë fundjavë do të zyrtarizohet kandidatja që do të zëvendësojë Elvis Roshin, në karrigen e kryebashkiakut. Ajo mësohet se është drejtuese e një kompanie publike në qytetin e Kavajës.
Të njëjtat burime thonë se kandidatja potenciale është bashkëshortja e një përfaqësuesi të lartë të Partisë Socialiste të Kavajës, ndërsa lista e emrave të përfolur si kandidatë të mundshëm ka qenë e gjatë. Në kampin tjetër vëmendja mbetet te protesta.
Demokratët kanë deklaruar se vendimi për të mos u futur në zgjedhje pa u plotësuar kushti i tyre për qeveri teknike, vlen dhe për garën e 7 majit për bashkinë e Kavajës.
Por kryeministri deklaroi se zgjedhje në Kavajë do të ketë edhe pse shprehu keqardhjen për vendimin e opozitës. Kavaja duket se do të jetë prova nëse zgjedhje pa opozitën janë të mundshme dhe të besueshme.





