Yoram Frig, shtetasi izraelit që u kap në aeroportin e Rinasit me një pajisje që zbulon çimkat e përgjimit, pranon se ka punuar për një biznesmen shqiptar.
Në dëshminë për Policinë, Frig tha se me pajisjen e detektimit që shërben për zbulimin e çimkave, pranon se i ka kontrolluar biznesmenit zyrat dhe makinat.
Izraeliti bëri me dije se biznesmeni dyshonte për vendosjen e çimkave dhe përgjuesve të tjerë nga prokuroria pasi kjo e fundit e kishte nën hetim.
Tani Prokuroria po punon për të verifikuar deklaratën e izraelitit, i cili është lënë i lirë pas ndalimit që iu bë në aeroportin e Rinasit për shkak të pajisjes që mbante me vete në një valixhe të zezë.
Pasi e ka marrë në pyetje nën shoqërinë e një përkthyesi, Policia e Tiranës ka lënë të lirë izraelitin Frig, por i ka mbajtur pasaportën. Sipas të dhënave që siguron Report Tv, pasaporta do i rikthehet pas përfundimit të hetimeve.
Kush është detektivi izraelit
Frig është një detektiv privat i cili ka mbërritur në Shqipëri për të ofruar shërbimet e tij ndaj një biznesmeni shqiptar.
Ndërkaq izraeliti nuk mund të dalë jashtë Shqipërisë dhe është i detyruar të qëndrojë më tej në shtetin tonë deri në përfundim të hetimeve.
Dy izraelitë të tjerë u hetuan në Shqipëri
Yoram Frig nuk është rasti i parë që shtetasit izraelitë bëhen objekt hetimi nga prokuroria dhe policia shqiptare. Dy vite më parë, dy biznesmenë izraelitë të quajtur Amiran Dzanazhvili dhe Ofer Nimrodi, kanë vizituar Shqipërinë me shpresën se do të bënin biznes të suksesshëm në këtë vend.
Ashtu si Yoram Frig, edhe ata kanë takuar të njëjtin biznesmen të njohur në Shqipëri, dhe më pas kanë filluar të kryejnë një seri të konsiderueshme transaksionesh bankare, duke blerë kompani nafte, baste sportive etj. /Shqiptarja.com/





