Policia e Shkodrës ka arrestuar një 31-vjeçar i cili ishte kthyer në tmerrin e kalimtarëve, sidomos të femrave, të cilave iu merrte nga trupi bizhuteri apo edhe çanta.
Sipas të dhënave zyrtare policore, është arrestuar shtetasi Besmir Zalli, 31 vjeç, banues në Shkodër.
Nga veprimet e shpejta hetimore të kryera u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes së ndodhur ku rezultoi se shtetasi i lartpërmendur dyshohet se është autor i vjedhjes me dhunë ndodhur më datë 24.03.2017 rreth orës 19:30 në lagjen “Vasil Shanto” Shkodër.
Dyshohet se ky shtetas i ka vjedhur me dhunë çantën shtetases V. P., 46 vjeçe, banuese në Shkodër.
Gjithashtu nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas dyshohet të jetë autor edhe i dy ngjarjeve të tjera të ndodhura më parë dhe konkretisht:
Autor i dyshuar i ngjarjes së ndodhur më datë 07.02.2017, ku shtetases P. A., 64 vjeçe, dyshohet si i ka vjedhur me dhunë një varëse floriri nga qafa.
Si dhe më datë 11.02.2017 dyshohet se i ka vjedhur me dhunë çantën e dorës shtetases K. B., 58 vjeçe banuese në Shkodër.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale “Vjedhje me dhunë”.





