20-vjeçari A. Metaj, banues në Kukës është arrestuar në flagrancë në Durrës, pasi është kapur nga policia rrugore duke lëvizur me automjet pa qenë i pajisur me leje drejtimi.
Sipas policisë së Durrësit, i riu ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij tip Toyota, në lagjen nr.17, rruga “Miqësia”, kur është ndaluar për një kontroll rutinë nga policët rrugorë.
Gjatë kontrollit të dokumentacionit, policët kanë konstatuar mungesën e lejes së drejtimit dhe për pasojë e kanë ndaluar të riun, që është dërguar në komisariatin e Durrësit me pranga në duar.
Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale "Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, parashikuar në nenin 291 të Kodit Penal.





