“Burra shqiptarë bëni kujdes! Femra të huaja ju ftojnë në biseda intime por i regjistrojnë dhe ju bëjnë shantazh”.Ky është apeli që bën policia e Tiranës, duke iu referuar rastit të fundit kur një shqiptar ka denoncuar shantazhin që i bën prej kohësh një shtetase e huaj, e cila e kishte regjistruar ne momente intime virtuale së bashku.

“Një rast i tillë është regjistruar në Drejtorinë e Policisë Vendore Tiranë duke treguar se një burrë ndihej i shantazhuar nga një shtetase e huaj që kishte njohur në rrjetet sociale, pasi kjo e fundit i bënte presion rreth një video intime që kishin bërë së bashku”– njofton policia.

Sipas saj, fillimisht biseda mes tyre kishte nisur nëpërmjet Facebook-ut duke i treguar njëri-tjetrit se pëlqeheshin dhe raporti mes tyre vijoi nëpërmjet Skype për t’u parë me kamera.

“Personazhi femër që komunikonte me të ishte shtetase e huaj dhe e ftoi “gjahun” të zhvishej dhe të bënte veprimet intime që ajo i kërkonte nga ana tjetër”- njofton policia.

Sipas saj, kjo video seksuale ishte regjistruar ndërkohë nga vajza në fjalë dhe më pas ajo e përdori këtë skenë duke e shantazhuar dhe kërkuar shuma parash në këmbim që të mos e publikonte këtë video në internet.

Ajo i dërgonte llogarinë bankare në mënyrë të tillë që paratë të transferoheshin brenda afatit të caktuar.

Policia duke marrë shtysë nga ky rast apelon çdo qytetar të tregohet më i vëmëndshëm nga personat e panjohur që u bëjnë kërkesë miqësie në rrjetet sociale dhe të jenë të kujdesshëm kur i ftojnë të bëjnë skena intime online.