Identifikohen tre autorët e dyshuar të atentatit me armë të mbrëmjes së mërkurës në Elbasan, ku mbeti i plagosur Dritan Kasneci.

Policia bën me dije se ka shpallur në kërkim dhe po punon për kapjen e shtetasve E.Gj. 40 vjeç, M.B. 35 vjeç dhe F.L. 27 vjeç, të tre banues në Elbasan.

Sipas policisë, të tre këta shtetas në lagjen “Aqif Pasha” përballë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen të kenë plagosur me armë zjarri pistoletë në shpatull shtetasin Dritan Kasnecin 38 vjeç banues në Elbasan.

Ky i fundit ndodhet në spitalin Kirurgjik Elbasan jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 1 gëzhojë armë zjarri model 54 dhe një predhë të kalibrit 7.62 mm.

Dritan Kasneci u qëllua me armë rreth orës 19:00 të së mërkurës, ndërsa ishte i ulur në një bar kafe.

Materialet në ngarkim të tre personave të shpallur në kërkim i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.