Ka përfunduar me sukses operacioni policor i koduar "Soggiorno", që është finalizuar me arrestimin e dy personave.

Policia e Durrësit bën me dije se të ndaluarit falsifikonin dokumenta dhe letërnjoftime me qëllim kalimin e personave jashtë kufijve.

Pas një hetimi 1- mujor me metoda speciale, që është kryer nga specialistët e krimit ekonomik e financiar të Durrësit, në pranga kanë përfunduar:

• H. Milushi 50 vjeç, banues në Tiranë;

• F. Stankova 49 vjeç, banues në Tiranë.

Arrestimi i tyre u bë pasi:

Specialistët për Hetimin Krimit Ekonomik kanë bërë të mundur dokumentimin ligjor të veprimtarisë kriminale e dyshuar e kryer nga shtetasit e mësipërm,  të cilët dje,  tek rruga e "Kavajës", Tiranë janë kapur në flagrancë duke shkëmbyer disa dokumenta italiane dhe fotografi të personave të ndryshëm,  të cilat dyshohen se janë të falsifikuara.

Vijon puna për identifikimin e  personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal dhe zbulimin e vendit ku kryhej falsifikimi i dokumentave.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale "Falsifikimi i dokumentave" dhe "Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave" parashikuar në nenet 186 dhe 189 të Kodit Penal.