Xhani De Biazi është kthyer në një nga personazhet kryesore përtej Adriatikut pak ditë para ndeshjes mes Italisë dhe Shqipërisë. Të gjithë duan të dinë se si tekniku italian krijoi një kombëtare shumë cilësore të cilën e drejtoi edhe në Europian, si dhe të njohin ambiciet që ka për duelin e javës së ardhshme.
Mes atyre që i kanë kushtuar një hapësirë të rëndësishme De Biazit ka qenë edhe televizioni “Rai 2”, me një speciale gjatë emisionit “Dribbling”, ku është publikuar një intervistë e gjatë e teknikut të përfaqësueses. Nga mbërritja në Shqipëri, te “dashuria e verës” me Italinë, e deri te largimi i Tramexanit, De Biazi ka treguar disa nga prapaskenat e eksperiencës ë tij shqiptare.
Xhani De Biazi, a shpresonit që do të mbërrinit në këtë përballje me Italinë në një pozicion tjetër në klasifikim?
Sinqerisht po, mendoja se do të kisha 7 apo 9 pikë në rastin më të mirë të mundshëm, edhe për faktin se mendoja që Izraeli ishte një skuadër të cilën mund ta kalonim pavarësisht vështirësive që të sjell çdo ndeshje. Fatkeqësisht humbëm, keqas. Ishte një ndeshje e mbrapshtë, pas 15 minutash ishim me një lojtar më pak dhe në disavantazh, që sigurisht kushtëzoi ndeshjen tonë.
Çfarë nënkupton kjo ndeshje me Italinë për ty?
Padyshim që është për mua një ndeshje e veçantë pasi të luash ndaj Italisë në një aktivitet që ka peshë, si në këto kualifikuese të Botërorit, padyshim të jep një emocion të ndryshëm nga miqësorja e Xhenoas. Nuk e kemi humbur ende shpresën dhe dëshirën për të shkuar në Rusi. Ndaj nëse duam të shkojmë në Rusi, duhet të bëjmë një ndeshje ku hedhim në fushë 120% të vetes tonë duke u munduar që të mos bëjmë gabimet që kemi shfaqur kohët e fundit.
Pesë vite në Tiranë, janë shumë apo jo?
Po, kur e fillova këtë eksperiencë me kombëtaren shqiptare nuk e mendoja asnjëherë që do të qëndroja kaq shumë kohë. Por pas dyvjeçarit të parë, mendoj se ishte e drejtë të vazhdoja projektin se po ecte në rrugën e duhur, aq sa pastaj shkuam në Francë dhe morëm shumë kënaqësi. Për mua, për stafin dhe për djemtë ishte një eksperiencë që na shpërbleu, por edhe që na ndihmoi në formimin tonë.
Ishte edhe emri juaj mes atyre që mund të zëvendësonin Konten në verë. Pastaj FIGC zgjodhi Venturën. Si rrodhën ngjarjet më saktësisht?
Dritat “azurre” janë aq të bukura sa që edhe të verbërojnë. Unë si italian mund të them se në atë moment kam prekur qiellin me dorë dhe mendoj se isha shumë pranë përfundimit pozitiv të situatës. Pastaj në një moment shumë të veçantë, kur mendoja se gjërat po shkonin në mënyrën e duhur, ndryshoi gjithçka. Pastaj më vonë mësova edhe arsyet e vendimit dhe qëndrova trajner i Shqipërisë dhe vazhdoj kontratën me të. Por përkushtimi ndaj saj nuk do të jetë më i vogël për faktin se ekzistoi kjo “dashuri verore”.
Keni qenë 5 vite bashkë por në periudhën e fundit, Paolo Tramexani vendosi të drejtonte Luganon. Çfarë humbje ishte kjo për ty?
Mendoj se është një humbje e rëndësishme për mua, por nuk kam humbur mikun që mbeti i njëjt. Përkundrazi, kjo distancë e ka përforcuar më shumë miqësinë. Ai kishte në mendje dëshirën të provonte të ecte me këmbët e veta, të kërkonte një eksperiencë të re. Mendoj se ishte momenti dhe mosha e duhur dhe i uroj më të mirën.
Si kundërshtar në fillim mendoje Italinë. Tani sa shanse i jep vetes?
Para fillimit të eliminatoreve kishim pak shanse, mendoja se objektivi ynë maksimal ishte të arrinim të tretët. Pas humbjes në shtëpi me Izraelin, mundësitë tona janë zvogëluar. Por kjo nuk do të thotë që do të dorëzohemi. /panoramasport/