Presidenti Bujar Nishani ka dekretuar katër ministrat e propozuar nga kryeministri Edi Rama, gjatë ditës së sotme që ishte dhe afati i fundit kushtetues.
Bëhet fjalë për ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj, i shumëpërfolur ditët e fundit si hetues në periudhën e diktaturës komuniste, ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ministrin e Pushtetit Vendor Eduard Shalsi dhe ministren e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Olta Xhaçka.
Presidenti dekretoi dhe shkarkimin e Saimir Tahirit, nga posti i ministrit të Brendshëm, Ilir Beqajt nga posti i ministrit të Shëndetësisë, Bledi Çuçin nga posti i ministrit të Çështjeve Vendore.
Një ditë më parë kreu i shtetit Bujar Nishani ka konfirmuar se do t’i dekretojë të 4 propozimet e kryeministrit Rama për ministrat e rinj të qeverisë edhe pse ka shprehur rezervat e veta për njërin prej tyre, ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Në një komunikim të pazakonshëm për një fundjavë, Presidenti tha se kandidatura e Xhafajt për ministër të Brendshëm është e papërshtatshme, por Kushtetuta nuk ia lejon presidentit ta refuzojë atë.





