Të tjera detaje zbulohen nga vdekja e Zarif Allihut në Devoll, ndërsa policia zbardh të gjithë skemën e vrasjes së tij.
Fillimisht u raportua se pogradecari 44-vjeçar ishte dhunuar me mjete të forta dhe pastaj ishte hedhur në rrugë, ndërsa policia konfirmon se gjithçka ka ndodhur me qëllim për ta grabitur.
Viktima Zarif Allihu nga fshati Verdovë i Pogradecit, së bashku me dy shokët e tij kanë qenë duke ikur për në Greqi, kur janë sulmuar dhe grabitur. Nga plagët e marra, 44-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë.
Njoftimi i policisë:
Më datë 18.03.2017 jemi njoftuar se në fshatin Braçanj tre shtetas të cilët do iknin për në Greqi janë sulmuar dhe goditur me mjete të forta nga disa persona, ku iu janë marrë edhe sendet personale.
Konkretisht shtetasit M.V., rreth 40 vjeç nga fshati Nizhdavec-Maliq dhe shtetasi Z.A., rreth 44 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec, u transportuan në Spitalin e Korçës për të marrë mjekim ku si pasojë e plagëve të marra ky i fundit (Z.A.) ka ndërruar jetë.
Në Komisariatin e Policisë Devoll, ndodhet shtetasi tjetër D.Sh, rreth 40 vjeç, të cilit po i merren deklaratat përkatëse në lidhje me këtë ngjarje.
Nga ana e Policisë po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.





