Ish-deputeti i Partisë Socialiste Koço Kokëdhima parashikon shtyrjen e zgjedhjeve elektorale për në vjeshtë, përkundër vendosmërisë së pëcjellë nga kryeministri Edi Rama për mbajtjen e tyre më 18 qershor.

Themeluesi dhe drejtuesi i Lëvizjes “Zgjidhja” gjatë një takimi me mbështetës të tij në Shkodër, tha se qeveria do të tërhiqet në momentin e fundit pasi zgjedhje pa opozitën nuk mund të bëhen dhe ajo nuk del nga çadra.

“Qeveria nuk dëgjoi siç nuk dëgjon edhe sot dhe po e çon vendin drejt një krize të shumëfishtë institucionale. Asaj nga një vesh i hyjnë fjalët dhe nga veshi tjetër i dalin. Çdo njeri që ka dy fije mend në kokë e kupton se çfarë do të ndodhë në javët e ardhshme. Opozita nuk do dalë nga çadra e saj. Zgjedhje pa opozitën nuk bëhen. Edhe LSI nuk nuk mundet të shkojë në zgjedhje pa opozitën, sepse nuk do guxonte të merrte përsipër përgjegjësinë që vendi të hynte në destabilizim e në një spirale të re dhune e konfliktesh.

Me shumë gjasa qeveria do të tërhiqet në momentin e fundit dhe do plotësojë kërkesat e opozitës. Reforma zgjedhore do të miratohet. Zgjedhjet do të shtyhen. Ato do të realizohen në vjeshtë. Nuk është e pamundur që një kompromis të gjendet me opozitën edhe për qeverinë. Legjitimiteti ose zgjedhja e presidentit të ri do të vihet në dyshim. Trashëgimia e mandatit të kësaj qeverie do të jetë edhe më shumë në pikëpyetje.

Pavarësisht se çfarë thotë qeveria, kjo është gjëja që besoj se do të ndodhë. Nëse ndodh kështu, vera do të jetë rraskapitëse për Partinë Socialiste. Në vjeshtë PS do shkojë në zgjedhje në kuotat e saj më të ulëta. PD-ja dhe konkurrentët e tjerë do të dalin moralisht e politikisht shumë të fituara nga kjo situatë dhe do shkojnë në zgjedhje edhe me trofeun e reformës zgjedhore dhe të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Partia Demokratike do thotë se në 1991-shin sollëm demokracinë, në vitin 2016 sollëm dekriminalizimin e politikës dhe në vitin 2017 sollëm dhe imponuam zgjedhjet e lira e të ndershme”, thotë Kokëdhima.