Ajo nuk kishte për qëllim të tërhiqte mbi vete vëmendje mediatike. Ishte një impuls i brendshëm, thirrje e gjakut të të gjyshit, torturuar dhe vrarë në diktaturë, që e shtynë t’i flasë të birit të Enver Hoxhës.
Gazetarja dhe producentja Keda Kaceli, përkthyesja në gjuhën italiane të veprës së At Zef Pllumit, të cilin po e shpërndan në shkollat e Shqipërisë, si një amanet të klerikut martir, tregon për “Panorama” të vërtetën e përballjes me Ilir Hoxhën në Aeroportin e Malpensës.
Një episod që ajo e ndau në rrjetet sociale, duke tërhequr një vëmendje të jashtëzakonshme mediatike.
Mbesa e Jonuz Kacelit, intelektualit të vrarë për incidentin e bombës në Ambasadën Sovjetike, nuk pretendon as ndjesë nga bijtë e nomenklaturës komuniste dhe as shpagim ndaj tyre, por të njihet e vërteta.
INTERVISTA
Ndoshta nuk ishte asfare qëllimi juaj, megjithatë u vutë në mesin e një vëmendjeje të madhe mediatike, për shkak të një episodi me të birin e diktatorit, Enver Hoxha. Sipas asaj që ju vetë keni treguar përmes një postimi në “Facebook”, në mënyrë qytetare ju keni kërkuar një dialog me të, por përgjigjja që morët nuk ishte aspak e këndshme. Cilat ishin rrethanat që ju përballën me Ilir Hoxhën?
Udhëtoja për në Tiranë, ishte mëngjes herët në Aeroportin Malpensa, duke pritur imbarkimin, kur përballë meje vjen dhe ulet i biri i Enver Hoxhës. E njoha menjëherë, sepse është person publik, del në media, por edhe për shkak të ngjashmërisë, madje edhe qëndrimi ishte si i të atit.
Nuk isha 100% e sigurt që ishte ai, ndaj edhe e konfirmova në internet. Dhe aty për aty mendova që t’i thosha diçka që unë mendoj: që ka pasur shumë shqiptarë që e kanë dashur Shqipërinë, që kanë dhënë jetën për të. Por edhe sot ka shqiptarë të tillë dhe një ditë Shqipëria do të bëhet.
E pashë ngultas dhe vura re që edhe ai po më shihte, ndoshta për shkak se edhe unë jam e njohur në media, për shkak të veprimtarisë dhe projekteve të mia, për përkthimin e veprës së At Zef Pllumit, por edhe të lidhjeve në politikë apo në botën e komunikacionit sot që, përveçse drejtoreshë e “Buongiorno Italia”, jam dhe producente kinematografike e shtëpisë italiane “Giorgio Leopardi International”.
Por me gjasë ai nuk më ka njohur. Gjithsesi unë i thashë ato që shkrova në transkriptimin e bisedës në “Facebook” ku thelbi ishte: Pavarësisht se ka njerëz si ju që nuk e duan Shqipërinë, ka ende nga ata që e duan, dhe Shqipëria do të bëhet. Arroganca e tij ishte shumë e çuditshme: “E ç’më duhet mua? Ç’më plasi?”. E të tjera si këto. Unë e kam përshkruar imtas atë që ndodhi, por vulgariteti në përgjigjen e tij ishte edhe më i rëndë. Jo vetëm se ishte duke folur me një femër, por edhe për moshën e tij, personin e tij.
Nuk e prisnit një reagim të tillë?
Reagimi i tij i parë ishte i tipit: “E kush je ti, çfarë do, unë s’të njoh…”, dhe gati-gati unë po prisja që ai të më thoshte që po ngatërroja personin dhe se nuk ishte ai që unë pretendoja. Mendova se po kërkonte të shmangej. Ishte një episod shumë i çuditshëm dhe unë e ndava me miqtë, si të tillë. Nuk kisha për qëllim që t’i thosha të kërkonte falje apo t’i thosha se do hakmerreshim.
Qëllimi im ishte vetëm t’i thosha se Shqipëria do bëhet. Duhet të kuptojmë që jemi antropologjikisht ndryshe. Sepse e vërteta është që ata nuk e kanë dashur Shqipërinë. Arsyeja e vetme që e mbajti diktaturën për 50 vjet dhe këta në pushtet, duke vrarë e duke prerë, ishte mungesa e dashurisë dhe vullnetit për ta bërë Shqipërinë.
Si e lexuat ju këtë qëndrim të të birit të diktatorit?
Nuk mund të them që nuk e prisja. Ne kemi intelektualë, shkrimtarë, që nuk kanë kërkuar ndjesë apo të bëjnë një apologji për faktin që u bënë instrumente të atij sistemi, por vazhdojnë të jenë të tillë. Dhe si mund të presësh ndjesë nga i biri i diktatorit apo bijtë e nomenklaturës.
Nuk prisja as ndjesë dhe as sjellje qytetare nga një njeri që i mungon ndjenja patriotike. Ata vazhdojnë ende të jenë të fuqishëm, sepse mungon njohja, mungon informacioni, se si erdhën, si qëndruan aq gjatë në pushtet, si e mbajtën pushtetin, si eliminuan elitën fillimisht dhe si më pas u eliminuan mes tyre.
Uzurpuan një pushtet dhe e mbajtën të tillë edhe mes tyre. Kështu që as e konceptoj të kërkojnë ndjesë, njerëz që janë krenarë për veprën e tyre kriminale.
Në statusin tuaj ju thoshit se askush nga shqiptarët e pranishëm nuk reagoi, mendoni se ka ende një lloj frike nga ish-udhëheqësit e asaj kohe?
Kjo është prova e mungesës së vullnetit për të njohur të vërtetën, për t’u përballur me historinë. Shumëkush e mendon se ajo që nuk më prek, nuk më përket, e justifikojnë me shprehjen “se ashtu ishte koha”, por ky mendim do sjellë fatkeqësisht sërish një sistem ku historia do përsëritet, madje edhe një diktaturë tjetër. Duhet të kujtojmë që kur komunizmi erdhi në Shqipëri, e gjeti me një milion e 200 mijë banorë, lufta korri një pjesë të mirë të tyre.
Ekziston një studim gjerman, sipas të cilit viktimat janë 60 mijë dhe jo 6 mijë, por edhe sikur të marrim vetëm 6 mijë, sa e madhe duket kjo shifër në një popullsi të vogël si ajo shqiptare, në ç’përqindje të lartë qëndron shërbimi i Sigurimit të Shtetit në një popullsi ku shumica merrej me bujqësi e blegtori dhe pjesa tjetër ishte krahu skllav i punës për Partinë dhe Shtetin?!
Në studimet e mia në Universitetin e Milanos, kam shfletuar shumë dokumente, kam studiuar sa shpesh del fjala luftë në veprat e Enverit dhe në çdo 3-4 fjalë është fjala luftë. Kjo është shifra stilistike që tregon mënyrën e mbajtjes së pushtetit mbi popullin. Ishim mbi 100 pasagjerë që vinim në Tiranë, mes të cilëve kishte shumë pak të huaj dhe asnjë nuk reagoi, qoftë për keq apo për mirë. Të gjithë ulën kokat dhe pëshpëritën me njëri-tjetrin, si për të thënë që ç’pati kjo me burrin e huaj. Por unë iu drejtova me tone mjaft të qeta, nuk ishte një sulm, por një përballje qytetare “ne”-“ju”.
Njerëzit që ishin aty, të rinj e të moshuar, rrinin aty pa thënë asnjë fjalë, të ndrojtur, por ndoshta dhe të painteresuar. Dy ishin personat që reaguan, por vetëm kur ai, me një fjalor rruge u çua e iku. “Sa mirë bëre, se dhe unë jam nga familje e persekutuar. Por nuk e njihja kush ishte. Ti, bravo, se u tregove shumë e guximshme”.
“Atëherë, çfarë prisni t’i njihni dhe të mësoni se çfarë kanë bërë”, u thashë. Dhe, në veten time, unë nuk e shoh si ndonjë heroizëm. Nuk m’u duk ndonjë akt guximi, por një akt patriotik për dashurinë që unë kam për Shqipërinë. Një reagim personal, si qytetare, por edhe si mbesa e martirit Jonuz Kaceli.
Për të qenë të sinqertë, reagimi juaj ishte një impuls i momentit, apo e kishit menduar me kohë se ç’do të thoshit po të përballeshit me ndonjë pinjoll të ish-drejtuesve të regjimit komunist?
Unë e di se kush e ka torturuar dhe vrarë gjyshin tim. Ka qenë numri dy i Byrosë Politike të kohës, Mehmet Shehu, një njeri gjakësor dhe kriminel. E dimë se si përfundoi familja e tij, për shkak të luftës brenda llojit.
Por unë nuk pres as nga Bashkimi, si intelektual, nga Sokoli apo ndonjë tjetër të kërkojnë ndjesë. Nuk kam parë ndonjë shkrim nga intelektuali Bashkim, ku të kërkojë ndjesë për ato që ka bërë i ati. Për shkak se na mori e njëjta rrotë e fatit, por për arsye dhe në rrethana të ndryshme, të tregohej një lloj përuljeje.
Me sa di, Bashkimi është distancuar nga vepra e të atit. Këtë e ka bërë për veten e vet.
Kur dihen veprat, me emër dhe mbiemër, dinjiteti njerëzor e kërkon që sa je gjallë, ka akoma kohë për t’iu shmangur dënimit, ferrit. Por përtej kësaj që mund të duket folklorike, ka ende kohë që të vihet në vend dinjiteti.
Vetëm Agim Doçin kam dëgjuar që të shfaqë pendesë dhe ka kërkuar falje për çfarë ka bërë i ati dhe Bedri Spahiun, që ka kërkuar ndjesë për atë që ai vetë ka bërë. Raste të tjera unë nuk di. E veja e diktatorit, “diktatoresha”, jep intervista, del në media, shkruan libra dhe mund t’ju them se, duke lexuar një artikull, zbulova dje se, arsyeja pse Ilir Hoxha ndodhej në Malpensa atë ditë, ishte se merrte pjesë në promovimin e një libri në Zvicër. Një libër i së ëmës, Nexhmijes, për Kosovën e lirë. Ndërkohë që ne e dimë që arsyeja e prishjes së marrëveshjes së Mukjes ishte pikërisht Kosova.
Dhe në mungesë të informimit e në mungesë të dëshirës për të studiuar, për të njohur të vërtetën, do të rritet një brez shterpë që jo vetëm nuk e njeh historinë, por do të vazhdojmë ta përçudnojmë atë e të tallemi me njëri-tjetrin.
Është e papranueshme dhe e turpshme që diktatoresha të bëjë libër për Kosovën, si “ëndrra e Enverit”, sepse e dimë që pushteti u mbajt, duke mos njohur hapësirat e Shqipërisë natyrale, izolimi nga Perëndimi dhe bunkerizimi. Historia e Shqipërisë ishte një eksperiment dhe këta ishin shkencëtarët e së keqes.
Le të kthehemi te vrasja e gjyshit tuaj. Ka dy variante për këtë. Sipas të parit, ai është torturuar dhe është hedhur nga dritarja për të mbuluar gjurmët dhe tjetri, që është vrarë nga Mehmet Shehu. Sipas kërkimeve tuaja, cila është e vërteta?
Ai është torturuar nga Mehmet Shehu dhe thonë që ai vetë e ka qëlluar me qytën e revolverit. Të gjithë duan të kenë një hero në familje. Mua më intereson vetëm fakti që ai u zgjodh nga Hyjtë e Lìrisë për të qenë martir i Shqipërisë, ndërsa punën e heroizmit nuk e vlerësoj unë.
Por ekzistojnë dëshmi, se ka pasur një përballje mes atyre të dyve. Ai i ka thënë Mehmet Shehut: M’i zgjidh duart dhe të shohim se kush është më burrë. Ai ishte i ri, nuk kishte mbushur 43 dhe gjaku i vlonte në deje.
Çfarë e nxiste këtë urrejtje të Mehmet Shehut?
Mundet që ka pasur edhe inate personale mes tyre. Ne kemi pasur dyqanin “Kaceli” në mes të Tiranës, ku shiteshin koleksione, kinkaleri dhe dikur ka hyrë Enveri, por edhe Mehmeti dhe nuk kanë marrë çfarë kanë dashur e ka pasur hatërmbetje në mes. Përveç kësaj, ne kemi pasur si llogaritar Qemal Stafën dhe fakti që ai ka punuar te kasa e dyqanit të Kacelit, ishte një tjetër arsye. Pra, përballjet mes tyre ishin edhe përplasje vlerash.
Ç’lidhje kishte ai me incidentin në Ambasadën Sovjetike?
Asnjë lidhje, përveç faktit që dinte një rusishte perfekte. Ai zotëronte 7 gjuhë të huaja. Të gjithë ata që e kanë njohur gjyshin tim e kanë përshkruar si një burrë zotni, filantrop, që e donte Shqipërinë e lirë, ka marrë pjesë si vëzhgues në Konferencën e Pezës, po ashtu në Konferencën e Mukjes.
Ai kish dhënë kontribut të pamohueshëm për Lanç. Dhe duhet theksuar ndërkohë që familja Kaceli ka pasur kontribut më të hershëm për pavarësinë e vendit, një katragjysh yni, Ismaili, ka rënë në Luftën e Shkodrës kundër malazezëve dhe familja Kaceli ka qenë në shënjestër për shkak të patriotizmit.
Dhe përderisa qëllimi ishte eliminimi i vlerave për ngritjen e antivlerave, ishte e kuptueshme ajo që i ndodhi tim gjyshi. Dhe antivlerat fituan. Para disa vitesh me familjarët e mi vumë një kurorë me lule te Ministria e Brendshme, te vendi ku thonë se e kanë hedhur, pasi ai ka dhënë shpirt në duart e Mehmet Shehut.
Imagjinoni ata nuk kanë pasur kurrfarë droje të torturonin një femër si Sabiha Kasimati, shkencëtarja jonë e parë, një model i rrallë femre, së bashku me Musine Kokalarin, Zyraka Manon, që janë përballur në mënyrë direkte me përbindëshin.
Pa harruar Drita Kosturin, për të cilën nuk kujtohet kush. Ç’faj kishte bërë Drita Kosturi, e cila kishte qenë partizane, se kishte studiuar në Romë, se ishte familje aq e madhe, se ishte e fejuara e Qemal Stafës dhe i dinte të gjitha të vërteta. Por në momentin që nuk fokusohemi te të vërtetat nuk do mundemi kurrë të ecim përpara.
Kjo ju ka nxitur edhe në projektin tuaj më të fundit që po zhvilloni në Tiranë?
Pikërisht, arsyeja e ardhjes sime në Tiranë këtë herë është dhurimi që dua të bëj në shkollat e Tiranës të veprës së At Zef Pllumit. Kjo është një detyrë dhe një amanet nga At Zef Pllumi, që për mua ka qenë jo vetëm korifeu i gjallë në ato vite që e E vërteta e vrasjes së Jonuz Kacelit me qytën e revoles nga Mehmeti “Amaneti i At Zef Pllumit dhe projekti në Tiranë” “Si ma besoi përkthimin e librit që po e dhuroj në shkolla” njoha, por edhe udhërrëfyesi, i cili më ka kërkuar të punoja për Shqipërinë, duke parë që edhe vokacioni im ishte po ky.
Donacioni do të bëhet në shkollat e mesme, në seksionin e italishtes, në shkollat që e bëjnë mësimin në dy gjuhë, shqip dhe italisht, por edhe në ato ku jepet si gjuhë e huaj italishtja. Do filloj të hënën me shkollën “Ismail Qemali”, në prani të disa personaliteteve, me miratimin e Ministrisë së Arsimit, për të vazhduar në Shkodër dhe në Korçë, ku janë dy seksionet e tjera. Do të jenë të pranishëm, politikanë, historianë, aktorë, sociologë, përfaqësues të institucioneve fetare, media etj.
Kam vendosur të dhuroj një mijë libra të At Zef Pllumit në italisht, që përveçse kanë një vlerë shpirtërore, kanë sigurisht dhe një vlerë monetare, por mbi të gjitha kulturore dhe intelektuale. Mendoj që libri ka një vlerë të paçmueshme për njeriun. Janë 1 mijë dritare mbi të vërtetën e historisë për liri dhe drejtësi. Qëllimi është të informohen brezat, që të paktën të lexojnë dhe të fillojnë të mendojnë me kokën e tyre, të pasurojnë veten.
Ju thatë se po jepni një kontribut, rëndësinë e të cilit do ta tregojë koha, por po plotësoni edhe një amanet të At Zef Pllumit. Si e keni njohur atë?
Kishte një moment në jetën time, kur unë nuk doja të përballesha me dhimbjen. Librat e At Zef Pllumit i kemi pasur në shtëpi, qysh se kur dolën. Nisa t’i lexoja, pa u shkuar në fund. Kur isha 24 vjeçe, ime më po e lexonte atë sërish. Unë ndërkohë nuk doja të merresha me këtë pjesë, doja të bëja jetën time.
Por e shkuara të shënjon dhe është e pamundur t’i shmangesh. Unë në moshën 13-vjeçare kam marrë pjesë në rivarrimin e eshtrave të gjyshit tim, Jonuz Kaceli, dhe i dhashë fjalën se do t’ia shpaguaja një ditë. Dhjet vjet më vonë, pasi kisha lexuar shumë libra mbi diktaturën dhe isha mbushur me informacione, nuk doja ta mbaja më këtë ngarkesë, të cilën nuk mund ta mbash dot e vetme.
Një natë dimri, para se të mbushja 25 vjeçe, ime më vazhdonte të lexonte librin e At Zef Pllumit, që për ne ishte bibla e dhimbjes shqiptare, më kërkon të dëgjoja një fragment. Më lexon fragmentin, kur pas shumë torturash atë e varin te pjeshka në oborrin e Pjetër Çurçisë.
Aty u ndërgjegjësova dhe mendova: ai ka pësuar këto tortura kur ishte 24 vjeç, kur ishte sa unë, si të mos merrem unë me këtë, si t’ia fal vetes që të mos e përcjell këtë. Hyra në internet me shpresën e gjetjes së shoqatave dhe institucioneve përkatëse, por u përballa me injorancën dhe mungesën totale të informacionit për diktaturën. Dhe kërkova padër Zefin. Ia vura detyrë vetes që do ta gjeja, por në Tiranë askush nuk më jepte një adresë të saktë. Kishte njëlloj frike, skepticizmi. Ishte gusht i vitit 2005.
Dikush më mundësoi numrin e Kuvendit të Shkodrës, ku lash numrin tim të telefonit dhe në darkë më telefonon At Zefi. Më 23 gusht 2005 më telefonon dhe më thotë se i njihte Kacelët, se kishte qenë në burg me xhaxhanë e babit, se e dinte historinë e tim gjyshi. Më pyeti se përse e doja dhe i thashë se thjesht doja ta njihja dhe më tha të shkoja kur të doja. E lamë që të shkoja të nesërmen dhe shkova me time më.
“Qofsh beku moj bijë, më tha, se sot asht dhe datlindja ime e vërtetë, por pakkush e di se ata ma kanë shnu 7 prill prej 7 prillit të 1939-s”, që ishte dita e pushtimit italian, si për të shënjuar “armiqtë”, për t’i kataloguar. Ishte një emocion i jashtëzakonshëm të kishe përballë një gjigant të qëndresës, një martir të gjallë, dëshmitar dhe dëshmor që kaloi ajo pjesë e popullit, që u kthye në vlerën e shkelur nga antivlera.
Si ua besoi përkthimin e librit të tij?
Ka qenë takimi më i rëndësishëm i jetës sime. Kemi ndenjur 4-5 orë bashkë, më ka dhënë me autograf gjithë librat e vet, më vuri në kontakt me një amerikane që kishte përkthyer librin në anglisht dhe më dha disa drejtime. E pyeta se përse nuk ishte përkthyer në italisht, nëse mund të interesoheshim në Ministri dhe më tha: “Po don me e ba, bane vet, a din me e ba? A e din italishten?
Ke bekimin tem”. Nga ajo ditë, e mbushur me një vullnet, forcë, dhimbje, ngazëllim i dritës hyjnore, më dukej vetja si pjesë e një misioni shumë të madh dhe jam munduar ta ndërtoj si të tillë. Në krye të dy javëve pas takimit, më vjen një letër në shtëpi, ku shprehte gjithë gëzimin e tij për takimin tonë, dhe bashkë me letrën më dërgonte dhe autorizimin e noterizuar, që nuk e prisja. E ruaj si një vlerë të paçmueshme. Ai po më jepte trashëgimi jetën e vet të shkruar, po më jepte një detyrë, një mision. Dhe asgjë nuk ishte më e rëndësishme se kjo.
Më sugjeronte që kur ta mbaroja, t’ia jepja ndonjë gazetari për ta korrektuar, se sado që mund ta dinim atë gjuhë, prapë mbeteshim shqiptarë. “Ta uroj me gjithë zemër të punosh për vete e për Shqipni”, më shkruante. Ky ishte testamenti i një njeriu që më deshi, që më lexoi shpirtin dhe më besoi.
Dhe ishte detyra ime që ta çoja në fund këtë amanet, përtej çdo vështirësie. Dhe nuk ka qenë aspak e thjeshtë, pasi gjithçka u bë me forcat e mia financiare, e kemi shpërndarë në të gjithë Italinë dhe erdhi koha t’ia sjell edhe rinisë shqiptare, ashtu si donte padër Zefi. Dhe në të ardhmen e afërt do të bëjmë edhe filmin, i cili do jete një produksion i stilit kolosal. /Panorama/