Një shqiptar është arratisur nga burgu, ku po vuante një dënim të marrë nga gjykata. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm, në orën 10:30 minuta të paradites në burgun e Alessandrias në Itali, raporton “La Repubblica”.
Siç bëjnë të ditur mediat italiane, shqiptari 35-vjeçar (emri i të cilit nuk është bërë i ditur) ishte duke bërë disa punë mirëmbajtjeje në ambientet e parkingut të burgut, kur ka kapërcyer telat e rrethimit dhe është larguar.
I favorizuar edhe nga një bllokim i sistemit të mbikëqyrjes me kamera, ai ka ikur duke mos lënë asnjë gjurmë pas. Mësohet se shtetasi shqiptar duhet të vuante dënimin me burg deri në vitin 2024.
Alarmi ka shpërthyer menjëherë dhe kanë nisur kërkimet për shqiptarin e arratisur, i cili sipas policisë, nuk ka mundësi për t’u larguar shumë nga zona.
Kontrolle të shumta janë duke u bërë, por ende nuk është gjetur.
Arratisja e shqiptarit ka ngritur polemika në Itali, pasi sekretari i përgjithshëm i sindikatës autonome të policisë së burgjeve, Donato Capece ka vënë theksin në uljen e masave të sigurisë në institucionet e vuajtjes së dënimit, gjë që po reflektohet në mos funksionimin normal të punëve në burgjet e vendit fqinjë.
M.P.





