Policia italiane ka vënë në pranga ditën e sotme një shtetas shqiptar, të shumëkërkuar nga drejtësia e vendit fqinj për një sërë akuzash, mes të cilave edhe shfrytëzimin si prostituta të vajzave minorene.

Prej 9 vitesh në arrati, ai është vënë në pranga rastësisht. Sipas asaj që bëjnë të ditur mediat italiane, gjatë një kontrolli rutinë në sheshin “Duomo” të Piacenza-s në Itali, policia ka ndaluar një automjet brenda të cilit ishin dy burra pa dokumente identifikimi.

Për këtë arsye, ata u shoqëruan në komisariat për t’u pyetur. Nga verifikimet në polici, u zbulua mosha, njëri 40 dhe tjetri 28 si dhe origjina e tyre shqiptare, ndërsa njëri prej tyre rezultonte të ishte në kërkim prej 9 vitesh.

Jo vetëm kaq, por 40-vjeçari shqiptar rezultonte të ishte i dënuar më parë për vepra që lidhen me prostitucionin e të miturve, trafikim dhe shitje të të miturve për prostitucion, dhe dhunë seksuale.

Në vitin 2008, ndaj tij, Gjykata e Apelit të Torinos e ka dënuar me 10 muaj e 20 ditë burg. Por, nga dita e lëshimit të vendimit të gjykatës, ai ka humbur gjurmët dhe arriti që për nëntë vite të fshihej pas një emri të rremë.