Një biznesmen shqiptar, pronar i shoqërisë së ndërtimit “Edil e Byku srl” në rajonin e Venetos në Itali është dënuar me një gjobë prej dy milionë eurosh nga drejtësia italiane.
Biznesmeni Eduard Byku, 36 vjeç, është gjobitur pasi nuk kishte paguar asnjë taksë ndërkohë që punonte ilegalisht.
Gjatë aktivitetit të tij nuk kishte paguar taksat, nuk kishte derdhur kontributet e detyruara ndaj shtetit italian, si dhe nuk kishte deklaura të ardhurat e tij vjetore pranë organeve kompetente.
Eduard Byku ka mbërritur në Itali në vitin 1996, duke punuar disa kohë si kopshtar në Puglia e më pas transferohet në komunën Feltre në provincën e Bellunos në Veneto, ku krijon dhe sipërmarrjen e tij të ndërtimit. Për pak kohë ai ka qenë futbollist i skuadrës së komunës së Porcenese.
Shoqëria e ndërtimit “Edil e Byku srl” punonte kryesisht për shoqëritë private me çmime mjaft konkurruese ndaj kompanive të tjera të ndërtimit me aktivitet në provincën e Belluno, Treviso, Vicenza e Padova.





