Në prag të fushatës elektorale, qeveria duket se ka hapur thesin. Një aktivitet në QSUT, ku kanë qenë bashkë ministri në largim i Shëndetësisë Ilir Beqja, dhe pasardhësja e tij, Ogerta Manastirliu, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar rritjen e pagesës për mjekët.

Ndërsa përmendi sukseset, sipas tij në shëndetësi, Rama tha se sistemi shëndetësor ka ende nevoja të rëndësishme. Për mjekët e Tiranës që shkojnë në spitalet rajonale do të ketë një pagesë 10 mijë lekë të rinj në ditë. Ndërsa 5 mijë lekë të rinj për mjekët e spitaleve rajonale që shkojnë për një konsultë në zonat rurale.

Krahas rritjes 10% të pagave, kryeministri Rama tha se do të ketë një rritje me 25% për pagën e atyre që punojnë në reaminacion dhe urgjencë, si dhe do të ketë dyfishim të pagës për shërbimin e rojës.

“Nuk e quaj të pavend, përkundrazi, e quaj domsdoshmëri dhe një shprehje respekti për të gjithë këtë trupë prej 13 mijë njerëzish, punën e të cilës nuk e asgjëson dot sjellja tërësisht e papranueshme e atyre që brenda asaj trupe i krijojnë njerëzve në nevojë shqetësimin e madh të detyrimit për të dhënë rryshfet, në sensin që rritja e pagave dhe jo thjesht, rritja e pagave po dhe disa konsiderata të tjera, janë më shumë se domosdoshmëri. Korrupsioni nuk luftohet nëse ata që punojnë në urgjencë dhe reaminacion dhe kanë rroga që janë larg së qëni të mjaftueshme jo për ta çmuar po të paktën për ta justifikuar. Për këtë arsye ne përveç 10% të rritjes së pagës, do të rrisim 25% pagën për ata që punojnë në reaminacion apo urgjencë dhe për këtë arsye do të dyfishojmë pagën e shërbimit të rojes”, tha Rama.