Alketa, ke pseudonime ti? Si të kanë thirrur kur ke qenë e vogël?
Po më kanë thirrur Keta. Ketrush gjithashtu më thërrasin në shtëpi. Vejzhu, më thërrasin në Itali, sepse kështu e shqiptojnë mbiemrin. Kitekat…
Pas "Your Face Sounds Familiar", çfarë e pret Alketën? Çfarë rezervon jeta artistike për Alketën? Ke ndonjë plan, apo ç’të dalë?
Rastësisë i lë ca gjëra, por projektet e punës i mendoj mirë. Po shohim një patentë të re.
Po ç’thotë jeta? Ai burrë, ata kalamaj?
Jeta mirë me thënë të drejtën. Falënderimin më të madh ja bëj Zotit (pa mikrofon) çdo ditë.
E ndien veten të realizuar?
Në balancë. Kam mjaftueshëm sa për të thënë që jam e lumtur.
Ti je kujdesur ta mbash gjithmonë jetën private për vete. A mbahet jeta private, private, je në terezi ti?
Thjesht kam vendosur një strategji. Nuk dua të vendos në vitrinë gjithçka nga jeta ime. Nuk dua të vë në shitje diçka që të tjerët do i bënte të famshëm në kohën që jetojmë.
Ti beson në Zot?
Sigurisht. Në fillimet e mia, madje kam shkuar në kishë. Zoti më çoi aty dhe e di pse, sepse aty kishte mikrofon.
Ti duket sikur je në paqe me këdo. Sikur sa kalon ti, gjithçka shkon mirë, shpërndahet vetëm dritë e buzëqeshje. Dy njerëz njoh unë që kanë këtë efekt, pastorin e Kishës sime dhe ty…
…Është zgjedhje të mos bësh armiq të investuar. Unë thjesht kam vendosur të mos jem si ajo pakicë e njerëzve që më ndjekin që të urrejnë sepse të duan, të duan sepse të urrejnë edhe pastaj prapë të duan. Edhe hajde e merre vesh…
Të ka ndodhur ndonjëherë që fëmijët të të kenë mësuar diçka?
Po sigurisht. Kur ngre zërin ndonjëherë për të vendosur autoritetin, vajza më thotë “nuk flas me ty sepse babai më ka thënë të mos u përgjigjem njerëzve që më ngrenë zërin” . Më ka dhënë një leksion të mirë për prindërimin. Kishte të drejtë. Dhe sigurisht që reflektova.
Ti si i edukon fëmijët? I dënon?
Nuk jam me teorinë e dënimit. Unë dialogoj, i shpjegoj mënyrën time, dëgjoj mendimin e tyre…Instalohet një mënyrë komunikimi me fëmijët…deri në 18 vjeç sepse pastaj janë të pavarur.
Ke dado?
Unë iu përkushtohem shumë njerëzve të familjes. Atyre nuk u ka munguar kurrë kujdesi im. Ne kemi gjyshet e fëmijëve. Pak ndihmë e kam gjithashtu, ia kam lejuar vetes… U jam shumë mirënjohëse atyre zonjave që na ndihmojnë. Janë si pjesë e familjes tashmë.
Ti do, apo nuk do të jesh pjesë e portaleve? Na janë bërë këto portalet si ajo komshia që spiunon nga vrima e çelësit.
Unë prodhoj spektakle për të kënaqur njerëzit, pastaj komshinjtë e riprodhojnë në format e tyre. Kam vënë re që jemi popull me fantazi, me imagjinatë…
Kam bërë gjithmonë një shmangie. Ata bëjnë punën e tyre. Unë mundohem të bëj mirë timen. Një herë më ka rastisur në një plazh në Itali, ku kishte disa të njohur të televizionit dhe u thoshin fotografëve t’i fotografonin nga ajo anë apo ky kënd që të dukeshin më mirë. Unë nuk kam pasur ndonjëherë nevojë për këtë. Nuk investohem për të dalë në portale, sepse kam hapësirë mjaftueshëm në media.
Kur dikush të nxjerr diku keq, ti ia merr hakun në revistën Class?
Jo, nuk ndodh kjo, por nëse dikush më bie në qafë, unë i bëj share. E bëj publike. Nuk i kursej ata që më cënojnë.
Ndonjë situatë ku je “fëlliqur”, që nuk do e thoje në një rast tjetër?
Unë jam njeri pa komplekse, do e kisha thënë. Turpe, fëlliqje s’mbaj mend, s’kam bërë. Gocë e mirë kam qenë…Edhe në vitet e gjimnazit p.sh., kam jetuar me gjithë emocionet e mundshme moshën, në ditën e fundit të maturës mund të them, në gjimnazin Petro Nini Luarasi, nisa luftën e vezëve dhe miellit, pa kuptim.
Bën punë shtëpie? Imagjinoj sikur ti ke 70 shërbëtorë, sikur njëri të bën manikyr, tjetri të bën fresk me palmë…
E çuditshme paskemi të njëjtin mendim për njëri-tjetrin. Unë mendoja për ty që je nga ata njerëz që edhe mizës i bën muhabet se përton ta largosh. Ke një imagjinatë të pasur, por këtë skenarin e ke shumë gabim. Në shtëpi janë disa persona të domosdoshëm që nuk janë shërbëtorë, por janë për mua pjesëtarë të familjes. Për një femër është sfidë e madhe t'i bëjë të gjitha pa qenë e ndihmuar.
Unë gatuaj dhe mirë madje, argëtohem në kuzhinë.
Ti me Verën dukeni sikur keni krijuar një perandori tuajën. Keni ambicie apo xhelozi që dikush po jua kalon?
Sot është audienca që përcakton kurbën e shikueshmërisë. Dhe s’kam frikë nga konkurrenca se ajo çon botën përpara. Ai që përfiton është publiku në rastin e televizionit dhe klienti në rastin e konsumatorit. Në Klan, ka një gjë shumë të mirë, që çdo njeri është zot në punën e tij. Kjo është një politikë demokratike dhe frytdhënëse.
I thua ndonjëherë vetes që jam prezantuesja më e mirë? Del para pasqyrës dhe thua “unë jam më e mira”, “unë jam më e bukura”?
Mos të duket gjë sikur nuk jam mirë, unë, ty, që ma bën këtë pyetje? Vetëvlerësimin e kam pasur të lartë që fëmijë, megjithatë kjo nuk duhet marrë siç merret shpesh. Kur them superproduksione nuk e kam për vete, këto janë produksione të televizionit Klan, janë 100 veta që punojnë, që mundohen për të gjetur sponsorat, kaq e vështirë në këtë treg. Dhe kur ti, pasi merr një patentë, për të cilën je munduar një vit e gjysmë dhe konkretizon një projekt ku kaq njerëz janë lodhur, shpreh një entuziazëm , gijotinë direkt. Thua superproduksion dhe të quajnë superprezantuese.
Kur je entuziast nuk do të thotë që je delirant. Nuk duhen ngatërruar këto të dyja. Mua që fëmijë më kanë mësuar t’i ndaj biskotat me të gjithë. Bota nuk është e imja.
Cili është programi që të pëlqen më shumë në Tv Klan?
Po, do më fusësh në sherr me kolegët. Po, ja emisioni yt është shumë i mirë.
Cili është çelësi i suksesit tënd?
Dyert e mia nuk kanë pasur nevojë për çelës. Kanë qenë me sensor :).
A do bësh ndonjëherë emision pa Vera Grabockën? Do ndaheni ndonjëherë ju?
Pse t’i largohem të mirës unë? Unë nuk u largohem të mirave. Unë vetëm të mira kam pasur nga ky bashkëpunim. Ne jemi një e mirë e përbashkët, e madhe. Unë kam fatin t’i them mendimet e mia për Verën në mikrofon, por edhe ajo i ka dhënë vlerësimet e saj për mua, edhe pse në një rreth më të ngushtë.
Të merr malli për radion? Jo për Top Albania Radion që është e Top Channel – it, e kam fjalën për radion në përgjithësi, si ndjesi.
Shumë. Kutia Magjike. Dua të futem brenda aty prapë herë pas here. Me merr malli pikerisht për Top Albania Radion, aty ku nisi historia ime në media.
Çfarë vesi ke?
Vese nuk kam, por unë shoh të njëjtën ëndërr. Dhe shpresoj çdo natë ta shoh. Fluturoj mbi një det me ujë të kaltër. Më kujtohet një skenë nga Pipi Çorapegjata, që ka qenë heroina ime e parë, që bie në det. Edhe nëse bie, është shumë mirë të biesh në ujë…
Të kanë plasur ndonjëherë brenda? E ke shkelur ndonjëherë ligjin?
Të dukem gjë portret për “shpallet në kërkim” unë :)? Me thënë të drejtën jam ndër taksapagueset e rregullta të shtetit shqiptar.
Ke ndonjë fobi?
Ashensorët. Kam ngecur një herë në ashensor për 45 minuta, bashkë me një fqinj të huaj që ishte me qira në pallatin ku jetoja më parë. Ai më jepte kurajo, sepse mua nuk e di sa më vajti tensioni. Dolëm mirë, por që atëherë jam gati të bëj 20 kate me këmbë sesa të hipi në një ashensor të pakoaliduar.
Çfarë nëne je me fëmijët e tu?
Unë jam si gjithë nënat e tjera. Mundohem të argëtohem sa më shumë me fëmijët. Këndojmë, kërcejmë edhe kur jemi në makinë. Por kur fëmijët kanë temperaturë, unë rri gjithë natën zgjuar deri në orën 7.00 të mëngjesit. E vë alarmin çdo gjysmë ore. Kur fëmijët janë me temperaturë, asnjë tjetër nuk qëndron pranë tyre.
Kur kam lindur vajzën, një vit kam qëndruar vetëm me të, në Itali, pa dado. E kam shijuar shumë atë periudhë.
Nuk ke pasur depresion post partum?
Më kapte ndonjë melankoli e lehtë, por sapo vajza qeshte, dilte dielli për mua. Me djalin kam qenë shumë më mirë. Me djalin vetëm qeshja sikur të isha gjithë kohës në Xing me Ermalin.
I them “O fëmijë magjik, o fëmijë i mrekullueshëm”. Vjen vajza, pastaj thotë, "po unë nuk jam?". I them asaj “po ti je kryemagjia e jetës sime. Sikur sa gjysma jote të ishte yt vëlla…”
Të shoh vetëm duke qeshur. Qan ndonjëherë?
Po, patjetër. Qaj nga gëzimi, qaj edhe para një dhimbjeje…
Por e qara më e bukur ka qenë kur më dhanë fëmijët në duar. U dëgjova për herë të parë zërin. Ajo ishte lumturia më e madhe.
Si do të ndiheshe sikur Vera të falënderonte?
Do më pëlqente, por nuk më mungon, e marr vlerësimin e saj prapa skenës.
Pyetje nga publiku:
Si ndihesh tani që Ermali ta ka marrë për falënderime?
Them t’i nxjerr njerëzit në protestë.
Çfarë baterish ke?
Nga ato që vetëkarikohen. Toshiba më kërkoi të drejtën e patentës, por nuk ia dhashë.
Mban shishe me ujë të ngrohtë natën kur fle?
Po ti mban? Më kujtohet në fëmijëri kur nëna na e vendoste një shishe me ujë të ngrohtë te këmbët. Duhet përsëritur ndonjëherë, është ndjesi e këndshme.
Pse je e shëmtuar pa grim?
Nuk ka gjë më të shëmtuar sesa një vajzë që i thotë një vajze që është e shëmtuar. Nuk duhet harruar që shumë vajza që nuk kanë qenë të bukura, kanë fituar zemrën e burrave më të pushtetshëm, jo me pamjen e tyre, por sepse kanë qenë inteligjente, dinin të krijonin ndjesi.
Unë e pranoj që i kushtoj rëndësi imazhit, por nuk do të thotë që vlera e një femre qëndron në pamjen e saj. Shumë femra duhet të shkojnë në punë, të sjellin fëmijën nga kopshti, nga shkolla, të gatuajnë, të bëjnë gati dhe mëngjesin për nesër, të jenë edhe tërheqëse për partnerin. Këto femra duhet ta kenë mirëkuptimin e partnerit të tyre dhe të gjithë shoqërisë. Mua më duket shumë cinike t’i thuash një femre e shëmtuar, kur ajo është pamja që i ka falur Perëndia. Unë e përçmoj këtë model sjelljeje.
E ke qejf lekun?
Unë kam qejf punën. Lekët nuk kanë qenë asnjëherë qëllimi im. Kanë ardhur si derivat i punës. /Revista Class/