Megjithëse ishte parashikuar që të niste në orën 10:00 mbledhja e kryeministrit Edi Rama me koordinatorët e fushatës në qarqe, ka nisur 30 minuta me vonesë. Në selinë rozë kanë mbërritur të parët disa prej ministrave dhe figurave të PS, si Saimir Tahiri, Lindita Nikolla, Gramoz Ruçi, Taulant Balla dhe Bledi Çuçi, i cili ka ndërprerë turin e tij në Gjirokastër. Më pas ministrat Damian Gjiknuri, Mimi Kodheli, Ditmir Bushati, Blendi Klosi, Ilir Beqaj.
"BalkanWeb" raporton se kryeministri Edi Rama ka mbërritur para pak minutash në selinë e PS, krejt i qetë dhe madje me buzën në gaz.
Mbledhja u bë e ditur që një ditë më parë, ku u paralajmëruar edhe për shkarkimin e 9 ministrave që janë koordinatorë të PS në qarqe.
Ende nuk dihet nëse largimi i tyre do të formalizohet gjatë ditës së sotme apo do të pritet e hëna siç edhe u njoftua një ditë më parë.
Kreu i qeverisë ende nuk ka reaguar në lidhje me shkarkimin e Tahirit, edhe pse në media në fillim u tha për një dorëheqje të mundshme të tij.





