Pas lajmeve që kanë qarkulluar gjatë gjithë pasdites së sotme, duke iu referuar burimeve të brendshme në qeveri për ndryshime në kabinetin Rama, qeveria pritet të zhvillojë një mbledhje të pazakontë gjatë së ditës së diel.
Mbledhja është parashikuar për në orën 10:00 paradite. Ndërsa të hënën, ashtu sikurse është paralajmëruar, pritet të lëvizin disa ministra, të cilët do të zëvendësohen me njerëz politikë të PS-së.
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u përfol sot në mesditë se kishte dhënë dorëheqjen por dy orë më pas ai reagoi shkurtimisht në “Facebook”, duke mohuar që ta ketë dhënë apo t’ia ketë kërkuar kush dorëheqjen.
“Për saktësim, as me ka kërkuar kush e as kam dhënë dorëheqje deri tani. Sidoqoftë, më të forte do jemi, sot e gjithmonë, bashkë”, shkruante ai.
Pavarësisht përgënjeshtrimit që bëri në rrjet social, është thuajse de facto që Tahiri nuk do të drejtojë më një prej ministrive më të rëndësishme të vendit.





