Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reaguar për herë të parë lidhur me shkarkimin e Saimir Tahirit nga posti i ministrit të Brendshëm. Në një prononcim për “Opinion.al”, Basha është shprehur se “Tahiri është ‘kokë turku’ që nuk i duhet dhe as i vlen opozitës.

Kreu i PD-së ka shtuar gjithashtu se “nga disa ndërmjetësime mediatike apo ndërkombëtare kjo “marrëveshje” i është ofruar nga Rama dhe ai gjithnjë e ka refuzuar.

Reagimin për herë të parë të Bashës lidhur me këtë çështje e ka bërë publik gazetari, Blendi Fevziu në një shkrim të botuar në “Opinion.al” me titull “Përse e largoi Rama, Tahirin?”

Nga Blendi Fevziu

Saimir Tahiri nuk është më Ministër i Brendshëm. Ose pritet të mos jetë në ditët në vijim. Njeriu që drejtoi Ministrinë më të rëndësishme të shtetit për më shumë kohë se çdo paraardhës që nga viti 1991 do largohet nga detyra sot. Po përse iku Tahiri dhe çfare sjell kjo lëvizje për Ramën?

E para duhet të biem dakord që nuk bëhet fjalë për një dorëheqje të Tahirit, por për një dorëheqje të imponuar. Pra Tahirit i është kërkuar largimi nga Kryeministri Rama. Edhe pse Tahiri kanë refuzuar të ike, ai do zëvendësohet tashmë.

E dyta, Tahiri nuk u detyrua të largohet për bilancin e tij si Ministër. Edhe pse opozita e ka akuzuar shpesh për kanabisin dhe lidhjet me krimin, shkaku i shkarkimit nga Rama nuk ka qenë ky. Nëse Tahiri është shkarkuar për punën në Ministri atëherë duhej shkarkuar Rama që deri më sot e ka konsideruar Ministrin e tij kryesor. Pra vendimi i largimit nuk ka lidhje me bilancin si Ministër.

Po përse Rama ka vendosur të sakrifikojë Tahirin?

Gjëja e parë qe mund të mendojë dikush dhe që padyshim mazhoranca do ta përdorë është se ajo po e bën këtë për të qetësuar opozitën dhe për t’i dhënë asaj një garanci për zgjedhjet e ardhshme. Pra në një farë mënyrë për t’i dhënë rrugë një marrëveshjeje me opozitën në protestë.

Por ky argumentim nuk qëndron. I kontaktuar nga Opinion.al lideri i PD Lulzim Basha është shprehur se Tahiri është “kokë turku” që nuk i duhet dhe as i vlen opozitës. Basha është shprehur se nga disa ndërmjetësime mediatike apo ndërkombëtare kjo “marrëveshje” i është ofruar nga Rama dhe ai gjithnjë e ka refuzuar. Basha ka shtuar se çadra e protestës ka një objektiv, largimin e Ramës nga Qeveria dhe ngritjen e një qeverie teknike. Pra largimi i Tahirit, veç ekzaltimit që sjell ne çadër, nuk i jep asnjë përfitim Ramës në raport me opozitën. Padyshim, opozita ka të drejte te jetë sot ne kulm të entusiazmit kur me vetëm 3 javë muzikë dhe fjalime i mori Kryeministrit ministrin e tij më të rëndësishëm. Tahiri është rasti i parë në historinë e Shqipërisë që ikën me këngë. Ministrin e Brendshëm e hoqën këngët e Rolling Stones që opozita po vendos në çadrën poshtë zyrës se Ramës. Imagjino çdo të ndodhte nëse në vend të këngëve opozita do kalonte në veprime konkrete në të gjithë Shqipërinë.

Gjëja e dytë që të vjen ndër mend është që Tahiri ka qenë objekt shkëmbimi për koalicionin e ardhshëm. Ai ka qenë në qendër të sulmeve të Ilir Metës dhe me gjasë, Meta është një nga shkaqet e largimit të tij. I trembur nga protesta dhe nga afria e Metës me të. Nën presionin qe asnjanësia e Metës mund ta stimulonte protestën, me gjasë Rama ka vendosur të sakrifikojë Tahirin që Meta të deklarohet që tani për koalicionin. Me këtë veprim Rama mendon se do dekurajojë PD dhe protestën e saj.

Gjëja e tretë qe të vjen ndërmend është presioni i mundshëm ndërkombëtar për të gjetur gjuhën me protestën e PD. Burime të sigurta kanë thënë për opinion.al se sinjale shumë të shqetësuara nga Brukseli janë nisur dje në adresë të Metës lidhur me qeverinë. Në këtë rast, për te shpëtuar veten Rama po tenton disa ndryshime ministrash për t’i dhënë asaj një karakter më pak politik. Ai po tenton të imitojë modelin grek, por edhe kjo është e pamjaftueshme. Opozita kërkon Ramën dhe vetëm Ramën. Në këtë kontekst e vetmja mënyrë që Rama të shpëtojë nga protesta e opozitës është të dorëzojë dorëheqjen e Ramës.

Jemi ende në territorin e hipotezave, por një gjë është e sigurt. Protesta po jep rezultat dhe Rama e dëshmoi këtë. Ai e humbi i pari luftën e nervave dhe sot, Basha dhe Meta janë më të fortë se sa Rama.

Pas kësaj, beteja politike do jetë shumë më interesante. Sepse çadra e protestës u bë pjesë e lojës. Siç tha analisti Berat Buzhala të hënën në Opinion: Çadrën në fillim e injoruan, pastaj e tallën, më vonë e luftuan dhe tani po i ofrojnë zgjidhje…