Aldo Bare vazhdon të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Burimet zyrtare pranë institucionit kushtetuese, i thanë ABC News se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk kanë shfuqizuar vendimin e dënimit me burgim të përjetshëm për Aldo Baren, por e kanë kthyer për gjykim në Gjykatën e Lartë, pa cenuar vendimin e Apelit.

Në vendimin, që pritet të zbardhet, thuhet se i është kërkuar Gjykatës së Lartë të marr në shqyrtim rekursin e avokatit mbrojtës të Aldo Bares, për të gjykuar nëse ka shkelje procedurale gjatë dy shkallëve të gjykimit. 

Pasi Gjykata e Lartë, nuk ka pranuar të marr në shqyrtim rekursin e mbrojtjes, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit me dënimin me burgim të përjetshëm për Aldo Baren. Burimet thonë, se gjyqtarët e Kushtetueses nuk i kanë hyrë çështjes në themel, por kanë shqyrtuar vetëm aspektin kushtetuese të respektimit të të drejtave të të pandehurit. 

Me arsyetimin se çdo person para se të gjykohet duhet të dëgjohet dhe mbi bazën e këtij parimi, Gjykata Kushtetuese kërkon nga gjykata e lartë ta shqyrtojë rekursin e Aldo Bares.

Sipas ankimit, Aldo Bare është dënuar me një burgim të përjetshëm dhe tre dënime me nga 25 vite burg. Në dosje thuhet se Aldo Bare është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një shqiptaro-maqedonasi në Lushnje, furgoni i të cilit dyshohet se është përdorur në një atentat kundër bandës së Lushnjës. Për këtë vrasje, gjykata ka shpall të pafajshëm të dyshuar si ushtar të Aldo Bares ndërsa këtë të fundit e ka deklaruar fajtor. Për këtë fakt, avokatët pretendojnë se janë dy vendime që janë në kontradiktë me njëra-tjetrën dhe për këtë fakt kërkohet të shfuqizohet vendimi I burgim të përjetshëm. Këtë fakt, avokatët thonë se do ta përdorin në Gjykatën e Lartë për shfuqizimin e vendimit të dënimit kapital. /ABC News