Gazetari Elvi Fundo ka rënë pre e dhunës nga dy persona ende të paidentifikuar. Ngjarja në fjalë ndodhi ditën e sotme në zonën e “Stacionit të Trenit” në kryeqytet. Mësohet se gresorët kanë goditur Fundon me grushte dhe mjete të forta, e më pas janë larguar nga vendngjarja.

Fill pas ngjarjes, gazetari u transportua me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak. Në një rrëfim për ‘BalkanWeb’, Fundo, drejtor i portalit “Citynews.al” nuk dha shumë detaje, por pohoi se: “Përfundova në spital. Kam marrë plagë të rënda, por jam mirë”.

Për momentin nuk dihen rrethanat e kësaj ngjarjeje, si dhe autorët e saj. Sakaq, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

NJOFTIMI I POLICISË
Më datë 08.03.2017, te bulevardi “Zogu i Parë”, dy shtetas ende të paidentifikuar kanë goditur me grushte dhe mjete të forta shtetasin E. F., 35 vjeç, banues në Tiranë, i clili ndodhet në S.Q.U., jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj vepre penale.