Lëvizja Rinore për Integrim zhvillon një takim me të rinjtë e qytetit të Durrësit ku u diskutua lidhur me Maturën Shtetërore. Të pranishëm në këtë takim ishin kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi, deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, ministri i Mjedisit, Lefter Koka, zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj etj.
Duke diskutuar për rëndësinë që ka arsimi universitar dhe matura shtetërore, kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi theksoi se Forumi Rinor i Lëvizjes Socialiste për Integrim do të vazhdojë të mbështesë të rinjtë për një arsim sa më të mirë.
Nora Malaj: Matura Shtetërore do të përmirësohet
Ndërsa Nora Malaj, theksoi se propozimet e bëra nga LRI për përmirësimin e Maturës Shtetërore janë marrë në konsideratë nga Ministria e Arsimit, gjë që do të sjellë një përmirësim të procesit të Maturës Shtetërore.
“Ne ishim në një mbledhje të komitetit të maturës shtetërore për të marrë dhe për të vlerësuar 18 pikat që paraqiti LRI, pothuajse të gjitha pikat janë pranuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në zgjidhjen e tyre”, tha Malaj.
Kejdi Mehmetaj: Ta bëjmë ëndrrën realitet
Deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, në fjalën e saj përpara të rinjve durrsakë tha se arsimi është një çështje mjaft e rëndësishme për LSI-në, ndaj kjo forcë politike punon për përmirësimin e procesit arsimor.
“Për ne çdo ëndërr e juaja është ëndërr për Shqipërinë prandaj kjo ëndërr duhet bërë realitet”, u shpreh deputetja e LSI-së.
Koka: Kemi shumë nevojë për ju
Ministri i Mjedisit, Lefter Koka nënvizoi në fjalën e tij se rinia është ajo pjesë e shoqërisë që mund të përmirësojë politikën qeverisëse në vend duke i bërë ftesë të gjithëve që të angazhohen me idetë dhe me energjinë e tyre.
“Të kesh ambicie të bësh për vete, të bësh për familjen, të bësh për qytetin është një gjë shumë e rëndësishme. Durrësi ka nevojë shumë për ju. Përfaqësoj forcën politike që e do qytetin e Durrësit më shumë nga kushdo tjetër. Dëshiroja t’ju kisha pjesë të ekipit, sepse kemi shumë nevojë për ju, për mendimet tuaja, jemi shumë të hapur që në çdo moment t’i diskutojmë hapurazi”, tha Koka.





