Bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, Linda Rama, ka organizuar sot një pritje për gratë në Pallatin e Brigadave me rastin e 8 Marsit.
Ajo ka treguar edhe një përjetim të bukur që i ndodhi këtë mëngjes, kur biri i saj i vogël, Zaho i kishte bërë komplimentin më të bukur.
“Zaho sot me sinqeritetin e një bebeje më tha diçka që më befasoi: “Ti mama Linda je shumë e bukur”. Aty më çarmatosi dhe më bëri të mendoj që fjala që kisha përgatitur ia vlente ta hidhja në kosh dhe të mendoja që e nesërmja do jetë e bukur me diell e bukur si kjo ditë 8 Marsi”.
Ky ishte një fragment i fjalës së Linda Ramës përballë gave të ftuara, para të cilave ajo tha se gruaja shqiptare ka nevojë për vëmendjen e shoqërisë dhe jo sytë të kthehen vetëm kur femrat vriten e dhunohen. “Vëmendje grave, jo të kthehemi nga ato vetëm kur i vrasin”.
Mes të ftuarve spikaste vetëm një burrë i ftuar, kryeministri Edi Rama. Linda vlerësoi figurën e bashkëshortit të saj, duke theksuar se ai është një ndër nxitësit më të mëdhenj të ekselencës së grave në vend.
Teksa ka ftuar të flasë bashkëshortin e saj, ajo e prezantoi kështu: “Një zotëri i ftuar sot si një mbështetës i madh i barazisë gjinore, ka diçka që Edi nuk e humb kurrë, interesin për gruan”.
“Nga lartësia e 198 cm të mia unë mund t’i siguroj gjithë burrat se sa më pak frikë që të kenë nga protagonizmi i grave aq më të sigurt dhe të mbrojtur do jenë”, tha Rama.





