Ministria e Transporteve ka kërkuar zgjidhjen e koncesionit për mirëmbajtjen e terminalit të kontenierëve në Portin e Durrësit, me argumentin se koncesionari “Durrës Container Terminal” Sh.a nuk ka përmbushur kushtet e kontratës.
Konflikti ka përfunduar në Gjykatë, ku Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka paditur Koncensionaret “Durrës Kurum Shipping”, sha, “Global” dhe “Liman Isletmeleri AS, Marinel S.R.L” (që zotërojnë kompaninë “Durrës Container Terminal”). Objekti i palës paditëse është zgjidhja e kontratës “Për dhënien me koncesion të menaxhimit, operimit, mirëmbajtjes dhe përmiresimit teknik të terminalit të konteinerëve në portin e Durrësit” datë 22/06/2011, për shkak të mospërmbushjes nga ana e koncesionarit të detyrimeve që lindin nga kjo kontratë koncensionare si edhe përcaktimin e shumës së dëmshpërblimit përkatës.
Burimet nga Ministria e Transporteve thanë për “Monitor” se arsyeja kryesore që po kërkohet prishje kontrate lidhet me mosrespektimin e saj. Kompania ka pasur probleme të shumta, si vonesa në përdorimin e vinçit të portit, mos respektimin e përmasave të tij, bllokimin shumë herë të punës apo dhe përplasje me operatorët e tjerë në terminal.
Koncesioni ishte miratuar nga qeveria e mëparshme dhe operonte në zbatim të Vendimit të Këshillit të ministrave me Nr.532 datë 13.07.2011″Për miratimin e Kontratës së Koncesionit”, Për menaxhimin, operimin, mirëmbajtjen dhe përmirësimin teknik të Terminalit të konteinërve në portin e Durrësit të lidhur ndërmjet Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit dhe Bashkimit të përkohshëm të shoqërive “Durrës Kurum Shipping”sh.a dhe “Global Ports Holding”sh.a, që do të thotë menaxhimi, operimi, mirëmbajtja dhe përmirësimi teknik dhe adaptimim për të përmbushur kërkesat aktuale dhe të ardhshme të trafikut të Terminalit të Konteinerëve në Portin e Durrësit, duke përfshirë ngarkimin dhe shkarkimin e anijeve kontinerike dhe pa të drejtë vote, si dhe aktivitete të lidhura të tilla si depozitim konteinerësh, magazinim, lëvizje ekstra, transportim, spostim, marrjen dhe shpërndarjen dhe përfshirë marrjen e masave të burimeve të kërkuara për mjete, pajisje, sisteme, praktika, procedura, programe, organizim dhe burime njerëzore në përputhje me praktikat më të mira industriale, siç janë të specifikuara në Termat e Referencës.
“Durres Container Terminal”, sipas ekstraktit në QKR rezulton që të ketë pasur probleme të shumta edhe mes aksionerëve, ndryshime aksionesh, apo edhe vonesa në pagesa. Në maj 2016, aksionet e “Durrës Kurum Shiping” u ulën nga 99.9% në 51%, të MARINER u rritën nga 0.09 në 48% dhe të Global Liman Isletmeleri nga 0.1% në 1%.
Sipas bilancit të vitit 2015, “Durres Container Terminal” kishte të ardhura prej 980 milionë lekë dhe një fitim bruto prej 413 milionë lekësh (rreth 3 mln euro), me një normë fitimi të lartë prej 42%. Fitimet e kompanisë u trefishuan në 2015-n, ndërsa ajo u rendit e 42-a mes 100 sipërmarrjeve më të mëdha sipas fitimit në Shqipëri.
Pavarësisht fitimeve të larta, koncesionari i është shmangur përmbushjes së detyrimeve, duke detyruar Ministrinë të kërkojë në Gjykatë prishjen e kontratës, një nga të paktat raste kur kërkohet një gjë e tillë.
Marrë nga “Monitor”