Shqiptarët, që nuk kanë mundësi për të qëndruar ligjërisht në Itali për më shumë se 90 ditë, gjejnë lloj-lloj marifetesh për t’i kaluar pengesat, që u nxjerr ligji italian. Një nga metodat më efikase është e ashtuquajtura martesë për letrat. Më parë ishin djemtë kosovarë, që martoheshin me gjermane, zvicerane, austriake apo daneze, me qëllimin e vetëm, që të siguronin dokumente të rregullta qëndrimi në vendet përkatëse. Më pas, këtë marifet e mësuan edhe shqiptarët e Shqipërisë duke u martuar kryesisht me zonjusha të moshuara italiane, greke apo edhe gjermane e zvicerane vetëm për efekt fitimi dokumentesh qëndrimi.

Kohët e fundit një trend i ri u ka rënë në sy autoriteteve ligjzbatuese italiane. Vetëm gjatë vitit 2016, janë identifikuar rreth 130 martesa shqiptarësh me rumune. Një martesë e ligjshme me rumune u siguron shqiptarëve automatikisht të drejtën për të jetuar dhe qëndruar në Itali si bashkëshortë të një qytetareje nga një vend anëtar i Bashkimit Europian.

Kryesisht për të tilla martesa zgjidhen vajza rumune, që prostituojnë në Itali. Fillimisht kryhen procedurat ligjore të martesës në Shqipëri. Më pas kjo martesë regjistrohet dhe legalizohet në Rumani (ose në seksionin konsullor të Ambasadës së Rumanisë në Tiranë). Pas përfundimit të këtyre procedurave, dhëndri shqiptar automatikisht fiton të drejtën e qëndrimit dhe banimit të pakufizuar në Itali. Marrëveshje të tilla janë me leverdi reciproke. Shqiptarët arrijnë të anashkalojnë pengesat që u nxjerr ligji italian, ndërsa prostitutat rumune paguhen rreth 4 000 euro për shërbimin e kryer. Disa prej këtyre prostitutave gjatë ditëve të qëndrimit në Shqipëri për të kryer formalitetet e martesës bëjnë edhe ndonjë lek duke ushtruar profesionin e vet edhe me ndihmën e “dhëndurëve” shqiptarë.

Gjergj Thanasi